Ndërlidhjet

Demokratët në SHBA propozojnë ndihmë të re për trajtimin e pasojave nga koronavirusi


Uashington

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara propozuan një paketë të re të ndihmës, për trajtimin e pasojave nga koronavirusi.

Paketa në vlerë prej tre trilionë dollarësh vjen në kohën e shqetësimeve në rritje për ndikimin ekonomik të pandemisë.

Ajo përfshin afro një trilion dollarë ndihmë për qeveritë lokale dhe shtetërore, miliona dollarë për testimin e njerëzve dhe miliona të tjerë për familjet dhe bizneset e vogla.

Megjithatë, paketa e ndihmës u kundërshtua nga republikanët e Senatit amerikan.

Udhëheqësi i shumicës në senat, Mitch McConnell, tha se ajo është "një listë dëshirash partiake", pa asnjë shans për t’u miratuar.

Dhoma e Përfaqësuesve do të mblidhet më 15 maj dhe do të votojë për paketën.

Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, tha se paketa është e nevojshme për të përballuar “sfidat e papara sociale dhe ekonomike që ka shkaktuar koronavirusi në Shtetet e Bashkuara”.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka ndarë tashmë tre trilionë dollarë për trajtimin e pasojave të koronavirusit dhe republikanët thonë se duan të shohin ndikimin e kësaj shume, përpara se të miratojnë të reja.

SHBA-ja është vendi më i goditur në botë nga koronavirusi, me mbi 1.3 milion njerëz të infektuar dhe mbi 82,000 viktima.

XS
SM
MD
LG