Ndërlidhjet

Akuza të reja rreth vrasjes së George Floydit


Pamje nga protestat në SHBA.

Të mërkurën janë ngritur padi të reja kundër të gjithë zyrtarëve policorë të shkarkuar, të cilët kanë qenë prezentë kur i është bërë presion afrikano-amerikanit, George Floyd, i cili më vonë ka vdekur në Mineapolis.

Akuza kundër ish-policit, Derek Chauvin, është ngritur në vrasje të shkallës së dytë nga ajo e tretë sa ka qenë fillimisht, ka njoftuar Prokurori i Përgjithshëm i Minesotas, Keith Ellison.

Vrasja e shkallës së dytë mund të ndëshkohet me burgim deri në 40 vjet.

Tre zyrtarë tjerë policorë, Tou Thao, Thomas Lane dhe J Alexander Kueng përballen me akuza për ndihmë dhe bashkëfajësi në vrasje.

Vdekja e Floydit ka nxitur protesta të mëdha në gjithë Shtetet e Bashkuara kundër racizmit.

Protestat janë duke bërë thirrje edhe kundër vrasjes së amerikanëve me ngjyrë nga ana e zyrtarëve të bardhë policorë.

Shumica e protestave, që po zhvillohen për tetë net me radhë, kanë qenë të qeta, ndonëse në disa raste ka shpërthyer dhuna, çka ka rezultuar me vënie të kufizimeve në lëvizje në disa qytete amerikane.

Vrasjet e shkallës së parë dhe asaj të dytë, me ligjin e Minesotas, kërkojnë prova se i pandehuri ka pasur qëllim vrasjen.

Vrasja e shkallës së tretë nuk kërkon prova se i pandehuri ka pasur qëllim që viktima të vdesë, mirëpo vetëm të vërtetojë se veprimet e të njëjtit kanë qenë të rrezikshme dhe se janë kryer pa marrë parasysh jetën e njeriut.

XS
SM
MD
LG