Ndërlidhjet

Fuqitë e policisë, protestuesve dhe presidentit në SHBA


Policia duke shpërndarë protestuesit në Uashington, të cilët po kërkojnë drejtësi pas vdekjes së George Floyd.
Policia duke shpërndarë protestuesit në Uashington, të cilët po kërkojnë drejtësi pas vdekjes së George Floyd.

Protestat kanë shpërthyer në gjithë Shtetet e Bashkuara që nga vdekja e George Floydit, më 25 maj.

Floyd, afrikano-amerikan, 46 vjeç, ka vdekur pasi është arrestuar nga policia në Mineapolis të Minesotës.

Video-pamjet e arrestimit, të marra nga një dëshmitar dhe të shpërndara në mediat sociale, tregojnë se si polici Derek Chauvin, i bardhë, e shtyp Floydin me gju në qafë, derisa oficerët e tjerë e mbajnë të shtrirë për tokë.

Floyd mund të dëgjohet në video duke iu lutur Chauvinit: "Nuk mund të marr frymë, njeri. Të lutem".

Qytetarët në SHBA vizitojnë një mural dedikuar George Floyd në Mineapolis, që gjendet në afërsi të vendit ku ai ndërroi jetë.
Qytetarët në SHBA vizitojnë një mural dedikuar George Floyd në Mineapolis, që gjendet në afërsi të vendit ku ai ndërroi jetë.

Chauvin dhe tre oficerë të tjerë të përfshirë në ngjarje janë larguar nga puna, ndërsa Chauvin është akuzuar edhe për vrasje.

Kjo, megjithatë, nuk e ka shuar zemërimin e njerëzve që kanë dalë në rrugë për të protestuar përdorimin e tepruar të forcës nga ana e policisë, kundër pjesëtarëve të komunitetit afrikano-amerikan.

Në fillim, protestat kanë qenë paqësore. Por, situata është shndërruar në kaos, plaçkitje dhe trazira. Nga Mineapolisi, demonstratat janë përhapur në dhjetëra qytete të tjera të SHBA-së, përfshirë Nju Jorkun, Llos Angjellesin, Çikagon dhe Uashingtonin.

Përshkallëzimi i dhunës dhe kaosit ka bërë që presidenti Donald Trump të kërcënojë se do ta nxjerrë në rrugë "ushtrinë e armatosur rëndë", e cila do t’i godasë ata që ai i ka cilësuar si "anarkistë profesionistë, plaçkitës, kriminelë, Antifa dhe të tjerë”.

Presidenti Donald Trump kalon pranë zyrtarëve policorë që janë vendosur në afërsi të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Donald Trump kalon pranë zyrtarëve policorë që janë vendosur në afërsi të Shtëpisë së Bardhë.


“Unë jam presidenti juaj i ligjit dhe rendit”, ka thënë Trump më 1 qershor.

"Jam duke i mobilizuar të gjitha burimet e mundshme federale, civile dhe ushtarake, për të ndaluar trazirat dhe plaçkitjet, për t'i dhënë fund shkatërrimit dhe zjarrvënies dhe për të mbrojtur të drejtat e amerikanëve që respektojnë ligjin –përfshirë të drejtat tuaja me Amendamentin e Dytë” për të mbajtur armë, ka thënë Trump.

Cilat forca qeveritare të sigurisë janë vënë në detyrë, në përgjigje të dhunës dhe kaosit?

Qytete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara kanë nxjerrë në rrugë policinë bashkiake, oficerët e sherifit të qarkut dhe trupat e policisë së shtetit, në përpjekje për të ndaluar plaçkitjen dhe dhunën që ka përfshirë vendin.

Trupat e Gardës Kombëtare –një degë e veçantë e ushtrisë amerikane që u përgjigjet urgjencave të vendit, si dhe merr pjesë në misione të huaja luftarake – gjithashtu kanë dalë në rrugë.

Policët në Xhorxhia të ulur në gjunjë gjatë një proteste pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd.
Policët në Xhorxhia të ulur në gjunjë gjatë një proteste pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd.

Garda Kombëtare mund të aktivizohet me urdhër të secilit guvernator të shtetit ose nga presidenti amerikan, i cili është komandanti i përgjithshëm i të gjitha forcave ushtarake amerikane.

Që nga 1 qershori, mijëra trupa të Gardës Kombëtare janë mobilizuar për të mbështetur përpjekjet e policive lokale për të kontrolluar demonstratat dhe trazirat në 23 shtete dhe në Uashington, D.C.

Shërbimi Sekret i SHBA-së ka punuar gjithashtu me trupat e Gardës Kombëtare në Uashington, për të mbyllur rrugët pranë Shtëpisë së Bardhë, pas tubimeve të mëdha të demonstruesve aty pranë.

*Video: Policia largon protestuesit pranë Shtëpisë së Bardhë

Policia largon protestuesit para Shtëpisë së Bardhë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Shërbimi Sekret është agjenci federale për zbatimin e ligjit, që vepron nën Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe siguron mbrojtje për udhëheqësit politikë amerikanë dhe familjet e tyre – përfshirë presidentin Trump.

Ku dallon Garda Kombëtare nga forcat e tjera ushtarake amerikane?

Për dallim nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara, Marina dhe Forca Ajrore, Garda Kombëtare përbëhet nga ushtarë që bëjnë punë civile ose ndjekin universitete, derisa kryejnë edhe trajnimin e tyre ushtarak.

Foto nga një protestë në afërsi të Shtëpisë së Bardhë.
Foto nga një protestë në afërsi të Shtëpisë së Bardhë.

Secili shtet amerikan ka forcën e vet të Gardës Kombëtare. Zona kryesore e funksionimit të ushtarëve të Gardës Kombëtare është shteti i tyre. Por, ata mund të vendosen në shtete të tjera ose të luftojnë edhe në operacione jashtë vendit.

A mund të nxjerrë në rrugë presidenti amerikan trupa ushtarake federale, për të vepruar si forcë policore?

Presidenti mund të pozicionojë trupa federale brenda Shteteve të Bashkuara. Por, atyre nuk u lejohet të kryejnë funksione të zbatimit të ligjit, përveç nëse presidenti i autorizon ta bëjnë një gjë të tillë.

Administrata Trump ka sugjeruar se presidenti mund të thirret në Aktin e Rebelimit të 1807-ës, për të shuar valën e dhunës.

Ky është një ligj federal që e lejon presidentin të pozicionojë trupa ushtarake brenda Shteteve të Bashkuara, për të vënë nën kontroll trazirat civile, kryengritjet dhe rebelimin.

Nëse Trump do ta bënte këtë, kritikët thonë se një veprim i tillë do të rrezikonte acarimin e mëtejmë të tensioneve midis protestuesve dhe autoriteteve qeveritare.

A është e ligjshme që demonstruesit të mblidhen në rrugë kur autoritetet shtetërore ose federale në Shtetet e Bashkuara kanë shpallur gjendje të emergjencës?

Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara e mbron lirinë e fjalës, lirinë e shtypit dhe lirinë e fesë. Ai gjithashtu garanton "të drejtën e njerëzve për t'u mbledhur në mënyrë paqësore”.

Kjo do të thotë se e drejta e njerëzve për t'u mbledhur në protesta paqësore mbrohet me kushtetutë.

Por, autoritetet kanë fuqinë të ndërhyjnë, kur një demonstrim e tejkalon vijën dhe shndërrohet në dhunë.

A janë protestat në Shtetet e Bashkuara të ndara në vija racore?

Demonstratat e fundit në Shtetet e Bashkuara kanë bashkuar protestues nga të gjitha racat dhe prapavijat ekonomike.

Dy protestues në SHBA – një me ngjyrë dhe një i bardhë – janë kapur për dore, teksa kërkojnë drejtësi për vdekjen e George Floyd.
Dy protestues në SHBA – një me ngjyrë dhe një i bardhë – janë kapur për dore, teksa kërkojnë drejtësi për vdekjen e George Floyd.

Në disa raste, policia lokale është bashkuar me demonstruesit paqësorë – ose duke marshuar me ta, ose duke u gjunjëzuar me ta, ose duke vëzhguar bashkërisht momentet e heshtjes në përkujtim të Floydit.

Cilat janë "të drejtat e Mirandës" dhe pse lidhen me protestat e fundit?

Të drejtat e ashtuquajtura të Mirandës burojnë nga një vendim i Gjykatës Supreme të SHBA-së, që i ndalon autoritetet të arrestojnë dhe të marrin në pyetje një të dyshuar pa e njoftuar me akuzat kundër tij, ose pa e informuar për të drejtën për të heshtur dhe për t'u përfaqësuar nga një avokat.

Kur policia e arreston një person në Shtetet e Bashkuara, ajo është e detyruar ta informojë se cilin ligj dyshohet se ka shkelur dhe cilat janë të drejtat e tij.

Policia në Mineapolis fut në një furgon një grua, e cila u arrestua gjatë një proteste më 31 maj.
Policia në Mineapolis fut në një furgon një grua, e cila u arrestua gjatë një proteste më 31 maj.

Dështimi i autoriteteve për t’i lexuar këto të drejta gjatë një arrestimi mund të çojë më vonë në heqjen e akuzave nga gjykata.

Shumë njerëz të arrestuar në Shtetet e Bashkuara gjatë protestave të fundit kundër vdekjes së Floydit – përfshirë gazetarët e arrestuar gjatë përpjekjeve për të mbuluar kaosin – thonë se nuk janë informuar për të drejtat e Mirandës.

Nëse është e vërtetë, shumë demonstruesve të arrestuar mund t’iu shfuqizohen akuzat kur të paraqiten në gjykatë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG