Ndërlidhjet

Kriza e pandemisë rrit rrezikun për korrupsion dhe keqpërdorime në Maqedoninë e V.


Ilustrim

Kriza që ka shkaktuar pandemia e koronovirusit në Maqedoninë e Veriut, ka paralizuar shumë instrumente dhe mekanizma për të luftuar korrupsionin, konfliktin e interesave, keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe deklarimin e rrejshëm në institucionet e shtetit, theksojnë nga organizata joqeveritare e cila në fokus ka luftën kundër korrupsionit, Transparency International.

“Gjendja e krizës për shkak të koronavirusit ka krijuar ose do të thosha ka imponuar miratimin e vendimeve të shpejta, në kuadër të një grupi të ngushtë, siç është tani rasti në kuadër të qeverisë teknike, pa një konsultim paraprak me opinionin publik dhe kjo lë shumë hapësirë që vendimet të merren në interesat e grupeve të caktuara dhe jo në interes të përgjithshëm të shtetit dhe qytetarëve“.

“Kemi më shumë indicje dhe informacione se mund të ketë, ose tanimë është konstatuar keqpërdorim i pozitave zyrtare në institucione të caktuara në menaxhimin e krizës së koronavirusit”, thekson Sllagjana Taseva, drejtore e organizatës joqeveritare Transparency International në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, që në fillim të shfaqjes së krizës së pandemisë së koronavirusit, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është zotuar se edhe gjatë situatës së jashtëzakonshme në vend, në kuadër të këtij institucioni janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar korrupsionin megjithëse kanë pranuar se “në këto kushte në të cilat ndodhet vendi dhe bota, rriten mundësitë për korrupsion“.

Nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, për Radion Evropa e Lirë, thonë se edhe gjatë pandemisë kanë punuar në distancë për sa i përket transparencës dhe llogaridhënies gjatë furnizimeve publike të institucioneve si dhe menaxhimit të donacioneve ndërkohë që dy herë në javë kanë punuar anëtarët e komisionit në fjalë dhe nga zyra, megjithëse nuk mund të japin detaje për numrin e parashtresave për shkak se në proces është riinstalimi i një sistemi të ri elektronik në këtë institucion dhe në proces është regjistrimi i lëndëve.

Por, organizatat joqeveritare që në fokus kanë luftën kundër korrupsionit vlerësojnë se kriza e shkaktuar nga pandemia me koronavirusin në masë të theksuar ka paralizuar institucionet që janë përgjegjëse për të parandaluar korupsionin.

“Nuk kemi reaksion të duhur nga ana e asnjë institucioni që është përgjegjës për luftën kundër korrupsionit, kjo situatë do shumë vëmendje tani”, thotë Taseva.

Ekspertët juridikë thonë se problematike është mosfunksionimi i parlamentit kështu që qeverisë u jepet shumë hapësirë të marrin veprime në bazë të diskrecionit.

“Pra hapësisrat e devijimit institucional përkojnë edhe me devijimin në këtë situatë të krizës që lë shum hapsirë për korrupsion, forma devijane që nuk e çojnë vendin përpara”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Besa Kadriu njohës e çështjeve juridike.

“Kjo periudhë ka heshtur edhe zërin e sektorit civil, po edhe mediat janë fokusuar në luftën e politikës globale që i referohet pandemisë përkatësisht masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, kjo i ka krijuar hapësirë edhe më shumë që korrupsioni të shtrihet në heshtje”, thotë Kadriu.

Ndryshe, në raportin e Qendrës për Komunikime Civile, theksohet se institucionet e shtetit në Maqedoninë e Veriut për sa i përket furnizimeve publike urgjente për menaxhimin e krizës me koronavirusin nxjerr në pah se së fundmi kanë lidhur 142 marrëveshje në vlerë prej 3.2 milionë euro, por mbi 70 për qind e këtyre mjeteve janë destinuar në vetëm pesë kompani dhe se çdo e dyta marrëveshje ka pasur vetëm një ofertë.

XS
SM
MD
LG