Ndërlidhjet

Trump i jep fund trajtimit të privilegjuar të Hong Kongut


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi legjislacionin dhe urdhrin ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve kundër Kinës, në përgjigje të, siç tha, ndërhyrjes “shtypëse” të Pekinit në autonominë e Hong Kongut.

Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se urdhri i tij ekzekutiv i jep fund trajtimit të privilegjuar tregtar që Hong Kongu ka gëzuar.

“Hong Kongu do të trajtohet njësoj sikurse pjesa tjetër e territorit të Kinës - nuk ka privilegje të veçanta, nuk ka trajtim të veçantë ekonomik dhe nuk ka eksport të teknologjive të ndjeshme", tha Trump.

“Liria e tij është marrë; të drejtat e tij janë marrë”, shtoi ai.

Trump po ashtu tha se nënshkroi Aktin e Autonomisë së Hong Kongut, i cili ka kaluar në Kongres në fillim të këtij muaji, me mbështetjen dërrmuese edhe të republikanëve, edhe demokratëve.


Akti autorizon sanksione ndaj zyrtarëve kinezë dhe policisë së Hong Kongut që zbatojnë ligjin e ri të sigurisë kombëtare të Pekinit në Hong Kong.

Ligji amerikan gjithashtu lejon sanksione ndaj bankave që bëjnë biznes me ata që e minojnë autonominë e Hong Kongut.

"Ky ligj i jep administratës sime mjete të reja të fuqishme për të mbajtur përgjegjës individët dhe subjektet e përfshira në shuarjen e lirive të Hong Kongut", tha Trump.

Pekini miratoi ditë më parë ligjin e ri të sigurisë kombëtare, që kriminalizon një mori veprash në Hong Kong, pavarësisht paralajmërimeve nga vendet perëndimore.

Ligji i sigurisë kombëtare dëmton kornizën "një vend, dy sisteme", nën të cilën Britania ia ka dorëzuar Hong Kongun Kinës në vitin 1997. Me këtë kornizë, qyteti i Hong Kongut ka pasur të drejta të veçanta që nuk i ka gëzuar pjesa tjetër e Kinës komuniste.

Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Kinës i dënoi lëvizjet e fundit të SHBA-së dhe i bëri thirrje Uashingtonit që të ndalonte ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës.

Ministria tha se autoritetet kineze gjithashtu do të vendosin sanksione hakmarrëse ndaj individëve dhe subjekteve amerikane.

"Kina do t’i bëjë hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e saj legjitime", thuhet në deklaratë.

Marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha në botë janë tensionuar për shkak të trajtimit të pandemisë së koronavirusit, përkeqësimit të të drejtave dhe lirive në Hong Kong, mosmarrëveshjeve tregtare e të tjera.

Më 13 korrik, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara i kundërshtojnë zyrtarisht pretendimet e Kinës për pronësinë mbi pjesën më të madhe të Detit të Kinës së Jugut.

Javën e kaluar, SHBA-ja sanksionoi disa zyrtarë të lartë kinezë për abuzim me të drejtat e njeriut kundër ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane në Kinë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG