Ndërlidhjet

Shpallen rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut


Kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev pas shpalljes së rezultateve preliminare.
Kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev pas shpalljes së rezultateve preliminare.

Partia maqedonase Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe ajo shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë fituese të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet paraprake, sipas të cilave, LSDM-ja ka fituar 46 ulëse në Kuvend, VMRO DPMNE-ja 44, BDI-ja 15, Koalicioni Aleanca-Alternativa 12, E majta 2 dhe PDSH-ja 1 ulëse.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 vende deputetësh. Sipas Kushtetutës, mandati për formimin e qeverisë së re i jepet asaj kandidatit apo partisë që ka fituar shumicën e votave. Ai mund të formojë qeverinë e re nëse arrin të sigurojë shumicë parlamentare prej 61 deputetësh.

Rezultati i ngushtë zgjedhor do ta bëjë të vështirë formimin e qeverisë pasi vendimtare për këtë do të jenë votat e dy partive shqiptare. BDI-ja në zgjedhje ka marr pjesë me kërkesën për kryeministrin e parë shqiptar. Dy partitë maqedonase e kanë përjashtuar një mundësi të tillë duke theksuar se kryeministri i takon partisë maqedonase që fiton zgjedhjet.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, ka hedhur poshtë informacionet që “sulmet kibernetike ndaj faqes elektronike të KSHZ-së të kenë manipuluar procesin zgjedhor, siç pretendon VMRO DPMNE-ja opozitare. Faqja elektronike ku publikohen të dhënat nga votimet nuk ka funksionuar që nga mbyllja e votimeve. Rasti është paraqitur në polici, e cila po heton rastin, nëse ka pasur sulm hakerësh dhe nëse ka pasur ndërhyrje në procesin zgjedhor.

Qytetarët e Maqedonisë së V. presin hapje të vendeve të punës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:04 0:00

Të mërkurën, pas mbylljes së vendvotimeve dhe shpalljes së rezultateve të mbi 90% të votave të numëruara, kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev shpalli fitoren e partisë së tij duke theksuar se Maqedonia e Veriut tanimë ka të ardhme edhe më të sigurt.

"Ne kemi sukses, njerëzit e mi, me një avantazh prej më shumë se tre mandate ndaj VMRO-DPMNE, me mundësinë edhe për një ose dy mandate tjera. Koalicioni "Mundemi" është fitues i zgjedhjeve në të cilatkonfirmua vullneti i njerëzve. Qytetarët dolën dhe votuan për një të ardhme të sigurt, për unitet dhe solidaritet, për atdhetarizëm, për drejtësi, për një ditë më të mirë dhe një të nesërme më të mirë. Ne i thamë qartë jo rrezikut”, ka deklaruar Zoran Zaev duke i vlerësuar zgjedhjeve si paqësore, të pastra, bazuar në standardet evropiane.

Për dallim nga Zaevi, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski nuk doli para mediave të mërkurën në mbrëmje ndërsa qëndrimin e partisë e bëri të ditur, sekretari i përgjithshëm, Igor Janjushev. Ai tha se VMRO-ja është e kënaqur me rezultatin por jo edhe me procesin zgjedhor për shkak të siç tha parregullsive të shumta. Janushev tha se rezultatet tregojnë se populli dëshiron ndryshimin andaj VMRO do të mbetet në garë për formimin e qeverisë së re.

Me këtë kredibilitet do të hyjmë në garë për sigurimin e shumicës në Kuvend. Beteja ende nuk ka përfunduar”, ka deklaruar Janjushev.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se fitorja e partisë së tij në këto zgjedhje, është fitore e të gjithë shqiptarëve.

“Me këtë fitore të BDI-së kanë fituar shqiptarët dhe nuk ka humbur askush sepse ne u jemi dalë zot të vërtetë ashtu siç kemi qenë edhe më parë. Jemi fitues absolut të zgjedhjeve”, ka deklaruar Ahmeti.

Fitore në disa qytete ka shpallur edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, por ato kanë akuzuar pushtetin për parregullsi të shumta zgjedhore, në disa fshatra të Shkupit dhe në rajonin e Likovës.

“Përkundër presioneve të shumta dhe frikësimit të votuesve, ne presim fitore nga këto zgjedhje”, ka deklaruar Zijadin Sela.

Në zgjedhje kanë marrë pjesë 15 parti politike dhe koalicione ndërsa nga gjashtë njësitë zgjedhore, do të zgjidhen nga 20 deputetë apo 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

Në zgjedhjet që kanë zgjatur deri në orën 21.00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar rreth 51 për qind nga 1.8 milion qytetar me të drejtë vote.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, procesin zgjedhor e ka vlerësuar të rregullt dhe demokratik, me disa parregullsi të vogla që sipas kryetarit të KSHZ-së, nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

"Mendoj se ne përgjithësi mund të jemi të kënaqur nga pasqyra që kemi për këtë proces zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Procesi zgjedhor u mbikëqyr nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj.

Ministria e Punëve të Brendshme, angazhoi rreth 6 mijë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. MPB-ja njoftoi se ka pranuar 11 denoncime për prishje të procesit zgjedhor.

Zgjedhjet e së mërkurës ishin zgjedhjet e dhjeta parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, por ato u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe deri në mbajtjen e tyre vendi është drejtuar nga një qeveri teknike, pjesë e së cilës ka qenë edhe opozita maqedonase.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.

XS
SM
MD
LG