Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut regjistron tetë të vdekur dhe 241 raste të reja me COVID-19


Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Maqedonia e Veriut të shtunën ka regjistruar tetë të vdekur nga koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga dy të vdekur janë regjistruar në Shkup, Tetovë, Strugë dhe nga një në Gostivar dhe Strumicë.

Me këtë, numri i përgjithshëm i të vdekurve arrin në 414 persona, prej tyre vetëm në Shkup janë regjistruar 165 viktima, ndërsa qytete me numër të lartë janë Kumanova, Tetova, Struga dhe Shtipi.

Gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 1,700 testime për koronavirusin e ri dhe prej tyre 241 raste kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, që është edhe numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë.

Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, gjithsej 73 raste, pastaj në Shtip 60 raste, në Tetovë 32 kurse numër më të vogël në 16 qytete tjera.

Përkundër numrit të lartë të të infektuarve, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, beson se Maqedonia e Veriut për momentin ka kapacitete për t’u përballur me virusin. Në 16 komuna, njoftoi ai, po përgatiten spitale mobile, që do të mund të ofrojnë shërbime, nëse ka rritje eventuale të numrit të të infektuarve.

Ndërkohë, sipas raportit, 51 persona janë shëruar, prej tyre vetëm në Shkup 40 persona.

Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë bërë 84,6916 teste. Prej tyre, 9,026 kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, 3,885 janë ende aktivë ndërsa 4,727 pacientë janë shëruar.

XS
SM
MD
LG