Ndërlidhjet

Skender Hyseni emërohet koordinator për dialogun me Serbinë


Skender Hyseni, fotografi nga arkivi.
Skender Hyseni, fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka emëruar Skender Hysenin në postin e koordinatorit shtetëror në dialogun me Serbinë.

"Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog", thuhet në njoftimin e qeverisë.

Koordinatori për dialogun, më këtë rast Skender Hyseni, pritet të udhëheqë Këshillin e Ekspertëve pranë Zyrës së Kryeministrit. Detyrë e këtij këshilli, i cili u formua në fillim të korrikut, do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe qeverisë për çështjen e dialogut me Serbinë.

Hyseni gjithashtu pritet të përfaqësojë Kosovën në dialog me Serbinë këtë të enjte në Bruksel, ku pritet të bisedohet për personat të pagjetur, për personat të zhvendosur dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Siç u paralajmëruar nga kryeministri Avdullah Hoti të hënën, koordinatori shtetëror do të punojë edhe në “draftimin e marrëveshjes finale për njohje reciproke”.

Pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut, më 16 korrik ky proces rifilloi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim u tha se u bisedua për të pagjeturit dhe çështjet ekonomike.

Pas takimit të dialogut në nivelin politik, BE-ja paralajmëroi se ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë do të takohen këtë javë, kurse Hoti e paralajmëroi takimin për të enjten.

Por, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se të hënën se nuk do të ketë vazhdim të dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe i parapriu atij në nivelin politik – por, Kosova do të dialogojë vetëm për marrëveshje finale, e cila sipas tij duhet të përmbajë njohje reciproke.

Paralajmërimet për rinisjen e dialogut teknik nuk u mirëpritën në Prishtinë, ku përveç partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, kjo ide u kundërshtua edhe nga Presidenca.

Vendimi për emërimin e Hysenit u kumtua pas një takimi të kryeministrit Hoti me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, ku Hoti ka folur për rifillimin e dialogut në Bruksel.

Ftesës së Hotit për këtë takim nuk iu përgjigjen përfaqësuesit e dy partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, parti këto që po kundërshtojnë qasjen e qeverisë në procesin e dialogut. LVV thotë se Qeveria Hoti nuk ka legjitimitet që të dialogojë me Serbinë, ndërkaq PDK thotë se kryeministri është i papërgatitur për këtë proces negociues si dhe kundërshton rinisjen e bisedimeve teknike me Beogradin.

Ndryshe, Skender Hyseni është anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ka qenë pjesë e delegacioneve të Kosovës në bisedimet për status dhe zëdhënës i ekipit negociator të Kosovës nga 2006-2007.

Ndër vite, ka qenë ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Punëve të Brendshme si dhe ministër i Kulturës.

XS
SM
MD
LG