Ndërlidhjet

Presidenca: Rinisja e dialogut teknik nuk është në interesin e Kosovës


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke dalë nga zyret e Presidencës. Foto nga arkivi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke dalë nga zyret e Presidencës. Foto nga arkivi.

Shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh këshilltari kryesor politik i presidentit, Bekim Çollaku, thotë se qëllimi i dialogut me Serbinë, duhet të jetë marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke dhe jo rinisja e një dialogu teknik të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Rinisja e dialogut teknik të udhëhequr nga BE-ja nuk është në interesin e Kosovës. Ai është dizajnuar për të justifikuar hapjen e më shumë kapitujve për pranimin e Serbisë në BE, teksa e lë Kosovën të izoluar dhe në status quo. Qëllimi duhet të jetë marrëveshja përfundimtare politike me njohje reciproke”, tha Çollaku përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Ky reagim i Çollakut vjen pasi më 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u takua në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Pas kësaj, Brukseli paralajmëroi se dialogu në nivelin teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rinisë të mërkurën, më 22 korrik.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të shtunën iu kundërpërgjigj kritikave lidhur me legjitimitetin e qeverisë së tij për të dialoguar me Serbinë dhe për qasjen që ka në raport me këtë proces.

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se ekzekutivi që ai udhëheqë, ka larguar nga diskutimi çështjen e integritetit territorial të Kosovës, dhe se sipas tij, caku i dialogut është njohja reciproke.

“Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe qasjen izoluese dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog. Këtë e bëmë pa hezitim pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë. Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme. Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t'u përballur është tashmë pas nesh”, tha Hoti.

Ndryshe, Hoti gjatë qëndrimit në Bruksel kishte deklaruar se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

Në Bruksel, Hoti u pyet nga gazetarët nëse për procesin e dialogut ka koordinim edhe me presidentin Thaçi.

“Unë përfaqësoj Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, bashkë me partnerët e koalicionit, duke e mbajtur plotësisht të informuar të gjithë spektrin politik në Kosovë”, u ishte përgjigjur gazetarëve kryeministri Hoti.

Takimi Hoti-Vuçiq në Bruksel
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Takimi i 16 korrikut, që erdhi pas 20 mujash të ndërprerjes së dialogut Kosovë-Serbi, u kritikua nga partitë opozitare në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, thanë se kryeministri Hoti nuk është i përgatitur për dialogun dhe se nuk ka as platformë e ekip për këtë proces.

Arbërie Nagavci nga partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Hoti nuk është i përgatitur për procesin e dialogut me Serbinë.

“Hoti, për këtë as nuk është i përgatitur e as nuk ka një platformë, një ekip dhe të tjera si këto, si dhe nuk e ka legjitimitetin as brenda vendit. As në kuadër të koalicionit të tij qeverisës nuk e ka fuqinë, por as në raport me gjithë spektrin politik, përfshirë këtu edhe opozitën”, thekson Nagavci.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se kryeministri Hoti u nxitua që të shkoi në këtë takim në Bruksel pasi sipas tij, procesi ka paqartësi si dhe kryeministri nuk ka mbështetje të nevojshme politike e institucionale.

“Jemi kundër qasjes dhe mënyrës se si Qeveria e Kosovës e ka filluar dialogun. Takimi i para dy ditëve tregoi se Kosova dhe Qeveria e Kosovës nuk është e përgatitur as politikisht e as përmbajtësish për një proces të tillë. Ajo ka hyrë në dialog pa platformë, pa strategji, pa konsensus, pa koordinim, pa përvojë në këtë proces dhe pa asnjë ekspert”, deklaroi Hoxhaj.

Hoxhaj shtoi se pas 15 vjetësh, të mbylljes së temës së të zhvendosurve serbë, në takimin Hoti-Vuçiq, kjo temë u rikthye.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që deri më tani ka udhëhequr dialogun në emër të Kosovës, ishte angazhuar që procesi i dialogut të kalojë në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se, siç kishte thënë, Brukseli e ka humbur kredibilitetit në këtë proces, por edhe në raportet me Kosovën.

Në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga viti i kaluar është përfshirë edhe i dërguari i presidentit amerikan, Richard Grenell, i cili deri më tash ka arritur t’i sigurojë tri marrëveshje në letër, për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore, si dhe për autostradën Prishtinë-Beograd.

XS
SM
MD
LG