Ndërlidhjet

PDK: Kryeministri u nxitua që shkoi në Bruksel 


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti për pjesëmarrje në takimin e para dyditësh me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se kryeministri Hoti u nxitua që të shkoi në këtë takim pasi sipas tij, procesi ka paqartësi si dhe kryeministri nuk ka mbështetje të nevojshme politike e institucionale.

“Jemi kundër qasjes dhe mënyrës se si Qeveria e Kosovës e ka filluar dialogun. Takimi i para dy ditëve tregoi se Kosova dhe Qeveria e Kosovës nuk është e përgatitur as politikisht e as përmbajtësish për një proces të tillë. Ajo ka hyrë në dialog pa platformë, pa strategji, pa konsensus, pa koordinim, pa përvojë në këtë proces dhe pa asnjë ekspert”, deklaroi Hoxhaj.

Në një konferencë për media, Hoxhaj tha se Qeveria Hoti do të duhej të kërkonte shtyrjen e takimit dhe të përpiqej që të arrinte konsensus politik në vend.

Hoxhaj me tej shtoi se kryeministri Hoti është mashtruar nga Serbia në përcaktimin dhe në renditjen e temave.

“Për herë të parë është rikthyer në proces të dialogut tema e të zhvendosurve serbë nga Kosova e cila është mbyllur para më shumë se një dekade, para 15 vjetësh. Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet sa i takon të zhvendosurve serbë”, deklaroi Hoxhaj.

Në takimin në Bruksel ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit u tha se u bisedua për të pagjeturit dhe çështjet ekonomike.

Edhe partia më e madhe opozitare Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar Hotin për “pafuqi” politike, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në të jashtëm.

Arbërie Nagavci nga kjo Lëvizjes, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Hoti nuk është i përgatitur për procesin e dialogut me Serbinë.

“Hoti, për këtë as nuk është i përgatitur e as nuk ka një platformë, një ekip dhe të tjera si këto, si dhe nuk e ka legjitimitetin as brenda vendit. As në kuadër të koalicionit të tij qeverisës nuk e ka fuqinë, por as në raport me gjithë spektrin politik, përfshirë këtu edhe opozitën”, thekson Nagavci.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u takuan më 16 korrik në Bruksel.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pas pothuajse dy vjetësh.

Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjes së një takse nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

XS
SM
MD
LG