Ndërlidhjet

Kuvendi debatoi për gjendjen në Telekom


Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka vendosur që të premten (24 korrik) të vazhdojë seancën për gjendjen në Telekomin e Kosovës.

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi nuk arriti ta vë në votim, një projekt-rezolutë të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, në bazë të së cilës parashiheshin masat për përmirësimin e situatës në këtë kompani publike.

Çfarë thuhet në projekt-rezolutë?

Në projekt rezolutë, thuhet se “Kontrata Dardafon- Telekom e vitit 2009, ka elemente të mjaftueshme për tu hetuar penalisht".

"Qeveria të zbatojë vendimin mbi masat për parandalimin e keqpërdorimeve në ndërmarrjet publike, si dhe të shqyrtojë mundësinë e plotësimit të tyre. Qeveria të ndërmarrë masa konkrete për të mbrojtur Telekomin nga kreditorët e pandërgjegjshëm më qëllim të stabilitetit financiar të Telekomit të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje”, thuhet ndër të tjera në projekt rezolutën e VV-së.

Çfarë u tha gjatë debatit?

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se menaxhmenti i Telekomit të Kosovës përmes një letre drejtuar Kuvendit, ka paraqitur qëndrimet e tyre për situatën e krijuar. Menaxhmenti, ka kërkuar hetime për aktivitetet brenda kësaj kompanie gjatë viteve të kaluara.

"Të hetohen vendimet strategjike dhe kontratat e mëdha të cilat këtë kompani prej një kontribuesi të buxhetit e sollën para bankrotimit dhe e shëndruan në borgjli", thuhet në letrën e menaxhmentit të Telekomit të Kosovës drejtuar deputetëve.

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se kontrata në mes Dardafon.net dhe Telekomit të Kosovës ka qenë fatale për Telekomin. Sipas saj, fajtorë për situatën e krijuar janë partitë politike, që sipas saj, kanë punësuar militant të tyre në pozita udhëheqëse.

Edhe Doruntina Maloku, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se Telekomi përballet edhe me rrezikimin e rënies se shërbimeve. Për këtë ajo ka kërkuar nga Qeveria që të gjejë zgjidhje për ndërmarrjen, duke e pasur në vëmendje se Telekomi “ka paraqitur një prej veprimtarive më të rëndësishme të ekonomisë kosovare”.

Kurse Ferat Shala, deputeti nga Partia Demokratike të Kosovës, tha se Qeveria e Kosovës ka mekanizma institucional dhe financiar për të ndihmuar Telekomin e Kosovës.

Por, Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, duke mos paraqitur ndonjë zgjidhje konkrete, tha se është duke punuar me aktorët kompetentë për këtë çështje.

“Me falemintimin e Telekomit, rrezikohet cenimi i sigurisë kombëtare”, tha Kuçi.

Punëtorët e Telekomit protestojnë pas bllokimit të xhirollogarive
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:56 0:00

Ku qëndron problemi me Telekomin e Kosovës?

Xhirollogaritë e kësaj kompanie janë bllokuar më 15 korrik, për rastin e arbitrazhit ndërkombëtar me operatorin ekonomik Dardafon, në kuadër të së cilit është edhe shërbimi telefonik i njohur me emrin Z-Mobile.

Telekomi i Kosovës dhe Kompania Z-Mobile në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me një kontratë të nënshkruar 10 vjet më parë, kontratë kjo e cila i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.

Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile. Borxhi Telekomit të Kosovës ndaj Z-Mobile llogaritet mbi 25 milionë euro.

Ndryshe, në një raport të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, të datës 18.04.2019, siguruar nga Radio Evropa e Lirë, thuhet se kjo kontratë është joligjore dhe shumë e dëmshme për Telekomin e Kosovës më Daradafon L.L.C, përkatësisht Z-Mobile, njëherësh ka qenë e panevojshme. Aty thuhet se “është rast unik në botë që një operator i rrjetit mobil, ti krijojë rivalitet konkurrencë vetvetes duke krijuar një operator virtual të rrjetit mobil dhe të bëjë ndarje të te hyrave 73 për qind me 27 për qind në favor të kompanisë private.

Kjo kontratë, thuhet në raport i ka sjell Telekomit humbje reale të deklaruar prej 107 milion euro. Ndërkaq 140 milion euro është vlera e përllogaritur e të hyrave të humbura, për shkak të numrave të marrë nga Dardafon.net.

Ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e problemit në këtë kompani, të enjten e kanë kërkuar për mes një proteste qindra punëtorë të Telekomit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG