Ndërlidhjet

Hoti: Është draftuar kapitulli i marrëveshjes përfundimtare për të pagjeturit


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se të enjten në Bruksel, në takimin midis Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh, është “draftuar kapitulli i marrëveshjes përfundimtare për të pagjeturit [e luftës]”.

Hoti i bëri këto komente para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pas insistimit të tyre për të sjellë më shumë informacione rreth dialogut në Bruksel.

Më 16 korrik, Hoti ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Të enjten, ndërkaq, është zhvilluar një tjetër takim midis palëve, por në nivel ekespertësh.

Hoti tha të premten se, më 16 korrik, është diskutuar për dy tema: të pagjeturit dhe çështjet ekonomike.

Ndonëse për to njoftoi edhe gjatë raportimit të mëhershëm në kuvend, Hoti përsëriti se parimet për çështjen e të pagjeturve janë:

“Në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar humanitar, të zgjidhet çështja e të pagjeturve, duke ofruar të gjitha informacionet për të pagjeturit - parimi i parë. I dyti: sjellja e drejtësisë në vend dhe, i treti: kujdesi për familjet e viktimave”.

“Mbi këto parime të dakorduara më 16 korrik, dje në Bruksel është draftuar kapitulli i marrëveshjes përfundimtare për të pagjeturit. Kjo është e vërteta”, tha Hoti, për të shtuar se për çështjet ekonomike do të bisedohet njëherë tjetër.

Më herët, gjatë raportimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Hoti përsëriti qëndrimin e tij se dialogu me Serbinë është për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, kanë rezultuar rreth 6,500 persona të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

XS
SM
MD
LG