Ndërlidhjet

Kritika ndaj qeverisë për dialogun me Serbinë


Kryeministri Hoti gjatë raportimit në kuvend lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Kryeministri Hoti gjatë raportimit në kuvend lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës përsëriti qëndrimin e tij se dialogu me Serbinë është për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Gjatë raportimit para deputetëve, Hoti tha në takimin e 16 korrikut në Bruksel, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka paraqitur kërkesat e Kosovës për zbardhjen e çështjes së të pagjeturve dhe për temat ekonomike.

“Tema e parë, personat e pagjetur për Qeverinë e Kosovës është obligim shtetëror, moral ndaj familjeve të tyre. Andaj është trajtuar me parime dhe kërkesa të qarta që janë: në përputhje të plotë me Ligjin humanitar ndërkombëtar, të zgjidhet çështja e personave të zhdukur, përfshirë zbulimin e informacionit dhe ofrimin e burimeve të nevojshme njerëzore dhe teknike për zgjidhjen e kësaj çështjeje. E dyta, sjellja e drejtësisë në vend dhe e treta, kujdesi i nevojshëm për familjet e viktimave sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Hoti, duke shtuar se kanë kërkuar që të kenë informacione edhe nga arkivat e ish-Jugosllavisë.

Ndërkaq, për çështjet ekonomike, Hoti tha se do të kërkohet kompensim për dëmet e luftës, suksesin si dhe kompensim për dëmet e pronave private.

Hoti u zotua se do ta mbajë të informuar Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin e dialogut, ku tha se nuk do të ketë ndarje territoriale.

“Unë kam përgjegjësi për këtë proces. Unë do t’iu mbaj të informuar gjatë gjithë kohës. Por,unë nuk do të rri duarkryq dhe as nuk do të qahem para jush, duke u ankuar për teori konspirative me harta e thika, apo me komplote për ndarje territoriale”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti përsëriti tri parimet e qeverisë në dialog: integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm dhe i pacenueshëm; organizimi kushtetues i Kosovës nuk preket dhe marrëveshja me Serbinë do të jenë në përputhje me Kushtetutën.

Hoti po ashtu tha se nuk do të ketë dialog teknik dhe se në ditët në vazhdim të gjitha takimet në këtë proces do të jenë në funksion të draftimit të marrëveshjes përfundimtare.

AAK-ja kërkon që SHBA-ja të jetë prezente në dialogun me Serbinë

Daut Haradinaj, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo qe është pjese e koalicionit qeverisës, tha se partia e tij mbështetë dialogun, por shtoi se dialogu në Bruksel asnjëherë nuk ka prodhuar asgjë të mirë për Kosovën, pa prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kërkesa jonë si parti politike, si partner i koalicionit është e qartë: Nuk guxon të rrëshqitet në dialogun teknik sepse dialogu teknik e favorizon Serbinë që t’i hapë kapitujt e integrimit. Në rast se një marrëveshje arrihet pa prezencën e SHBA-së, ajo zor se është e zbatueshme”, tha Haradinaj.

Haradinaj shtoi se nuk ka keqkuptime në bashkëqeverisje, por që është kërkesë eksplicite që SHBA-ja të jetë prezente në tavolinën e bisedimeve. Ai gjithashtu shtoi se BE-ja e ka “mashtruar Kosovën për liberalizimin e vizave” tash e dhjetë vjet.

“Nuk kemi çfarë kërkojmë bë Bruksel pa na u hequr vizat. Duhet të jetë kusht në tavolinë dhe t’iu bëhet me dije qartë”, tha ai.

Opozita me kritika ndaj qeverisë për dialogun

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi e kritikoi kryeministrin Hoti se në takimin e 16 korrikut në Bruksel shkoi pa platformë, pa ekip dhe pa agjendë. Ai po ashtu e kritikoi Hotin që iu përgjigj në gjuhën serbe Vuçiqit, kur ky i fundit e pyeti nëse e kuptonte gjuhën serbe.

Selimi i pyeti kryeministrin Hoti nëse është duke iu shmangur përgjegjësisë, me emërimin e Skender Hysenit, koordinator për dialog.

"Ju atje nuk demonstruat shtetësi, e as legjitimitet, e as dinjitet. Shkuat duke hequr dorë nga reciprociteti, pra nga shtetësia, pra jo si dy shtete. U paraqitët pa dinjitet, duke demonstruar inferioritetin tuaj ndaj Vuçiqit, e po ashtu edhe pa legjitimitet sepse nuk e morët përkrahjen e spektrit politik në Kosovë”, tha Selimi.

Takimi Hoti-Vuçiq në Bruksel
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Sipas Selimit, Hoti e ka përkrahjen vetëm të presidentit Hashim Thaçi, “i cili ishte i vetmi që e përshëndeti emërimin e Hysenit për koordinator shtetëror për dialog”.

Deputetit i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se takimi i Hotit në Bruksel dhe takimi i 23 korrikut i koordinatorit shtetëror të Kosovës për dialog, Skender Hyseni me palën serbe, tregon se Kosova ka hyrë në një proces ku sipas tij më e rëndësishme po duket “rruga të bëhet, sesa qëllimi që kemi”.

Ai e kritikoi qeverinë se nuk ka platformë e as strategji për këtë proces.

“Pa afat, pa cak, pa unitet. Të ndiqet një karvan i dialogut, pa e ditur cakun, afatin, kohën. Prandaj, po e shohim problem qasjen e qeverisë në dialog. Ne nuk jemi kundër dialogut dhe nuk do të jemi asnjëherë kundër dialogut. Nuk ka platformë. Çfarë po thotë kryeministri është pozicionimi legal i Kosovës. Kushtetuta është pozicionimi legal i Kosovës. Platforma është platformë për të arritur marrëveshje. Nuk ka strategji, e strategjia është një dokument për temat që dëshironi t’i ngritni, e cilat nuk dëshiron”, tha Hoxhaj, duke kritikuar Hotin që në takimin e 16 korrikut se pse ka lejuar që në Bruksel të ngritet çështja e të zhvendosurve.

“Te tema e ekonomisë, veç na tregoni ku fillon dhe ku mbaron ekonomia dhe tregtia e Kosovës me Serbinë”, shtoi Hoxhaj.

Pas kritikave se qeveria nuk ka platformë e as strategji për dialog, Hoti ftoi deputetët që të hartojnë dhe miratojnë një rezolutë për këtë çështje.

Pas 20 muajsh ndërprerje, më 16 korrik rinisi dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, delegacionet e ekspertëve të të dyja vendeve, më 23 korrik u takuan në Brusel. Në këtë takim Kosova u përfaqësua nga koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni dhe palën serbe e përfaqësoi, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Paralajmërimet se ky takim i ekspertëve nënkupton rinisjen e dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe që u pasua më pas me dialogun në nivel politik – nuk është mirëpritur në Prishtinë.

Presidenca është shprehur kundër rifillimit të dialogut teknik dhe po ashtu dy partitë e koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.

XS
SM
MD
LG