Ndërlidhjet

Lukashenka urdhëron Ministrinë e Brendshme të ndalë trazirat


Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka.

Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, ka udhëzuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të ndalojë trazirat në vend, veçanërisht në kryeqytetin Minsk.

“Nuk duhet të ketë më trazira në Minsk. Njerëzit janë të lodhur. Njerëzit kërkojnë paqe dhe qetësi", tha Lukashenka më 19 gusht, sipas agjencisë së lajmeve shtetërore BelTA.

Ai gjithashtu urdhëroi autoritetet kufitare të rrisin sigurinë në zonën kufitare për të parandaluar hyrjen e "luftëtarëve dhe armëve".

Lukashenka, gjithashtu ka thënë se një grup i punonjësve të mediave shtetërore që hynë në grevë si pjesë e protestave, nuk do të lejohen të kthehen në punët e tyre, raporton Reuters.

Vendimi vjen derisa udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë duke diskutuar për situatën në Bjellorusi.

Vala e zemërimit në Bjellorusi është rritur prej kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se presidenti Alyaksandr Lukashenka, që është në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya me 10.12 për qind.

Opozita thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Ministrat e Jashtëm të BE-së janë pajtuar javën e kaluar për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve bjellorusë, të cilët i konsiderojnë përgjegjës për “dhunën, shtypjen dhe falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve".

Liderja e opozitës në Bjellorusi, Svyatlana Tsikhanouskaya u bëri thirrje liderëve evropianë të "mbështesin zgjimin" e vendit të saj dhe të respektojnë zgjedhjen e popullit bjellorus.

Tsikhanouskaya e bëri thirrjen përmes një adresimi me video drejtuar Këshillit Evropian.

"Unë ju bëj thirrje që të mos i njihni këto zgjedhje mashtruese. Lukashenka ka humbur të gjithë legjitimitetin në sytë e kombit tonë dhe botës", tha ajo, raporton Reuters.

XS
SM
MD
LG