Ndërlidhjet

Galeotti: Lukashenkan do ta rrëzojnë nga pushteti bashkëpunëtorët e tij


"Diktator ik", thuhet në panon që protestuesit në Bjellorusi mbajnë në duar. Minsk, 16 gusht, 2020.
"Diktator ik", thuhet në panon që protestuesit në Bjellorusi mbajnë në duar. Minsk, 16 gusht, 2020.

Shumica e bjellorusëve janë kundër presidentit Alyaksandr Lukashenka, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mark Galeotti nga Instituti Mbretëror në Londër (Royal United Services Institute).

"Në thelb, Lukashenka nuk ka mbështetje askund përveçse te sistemi i sigurisë. Rrjedhimisht, nuk ka asnjë arsye që regjimi të mbijetojë", vlerëson Galeotti.

Sipas tij, Lukashenka do të largohet përmes presionit nga rrethi i tij.

"Njerëzit që kanë përparuar në atë sistem, janë pragmatikë të pamëshirshëm. Atyre u intereson vetëm për pozicionin e tyre dhe jo ideologjia apo Lukashenka. Në momentin që ata e shohin se është më e rrezikshme të mbështesin Lukashenkan sesa ta kundërshtojnë atë, atëherë do të ketë një pikë kthese, kur ai do të rrëzohet nga pushteti ose arrestohet apo do të nxitet të shkojë në Korenë e Veriut ose kudo tjetër", tha Galeotti.

Në këtë intervistë, Galeotti thotë se nuk ka të dhëna që Rusia është e interesuar për intervenim në Bjellorusi.

Radio Evropa e Lirë: Sipas vlerësimeve të ndryshme, midis 100.000 dhe 200.000 persona u mblodhën të dielën në protestat e opozitës në Bjellorusi. Më parë, presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, foli në një tubim që sipas të dhënave zyrtare ishin rreth 65 mijë simpatizantë të tij, disa prej të cilëve u sollën me autobusë. Këto të dhëna a sugjerojnë se shumica e qytetarëve bjellorusë e përkrahin ndryshimin dhe se situata ka arritur një pikë pa kthim në drejtim të reformave të shumëpritura?

Mark Galeotti: Në një masë të madhe po. Unë mendoj se nuk ka asnjë dyshim se shumica e bjellorusëve janë kundër Lukashenkas. Rezultatet e zgjedhjeve janë plotësisht një farsë. Këtë e tregon edhe fakti se qeverisë iu desh të sillte njerëz në mënyrë që të organizonte një tubim në mbështetje të Lukashenkas. Këtu kuptohet se sa e dobët është baza shoqërore e këtij regjimi. Lukashenka gjithashtu vizitoi të hënën një fabrikë të madhe të traktorëve. Në të kaluarën, këto lloj vendesh ishin baza nga e cila ai tërhiqte mbështetjen. Sidoqoftë, tani edhe atje punëtorët po e fishkëllenin. Madje edhe punëtorët që ishin përzgjedhur për të marrë pjesë ishin shumë armiqësor ndaj tij. Në thelb, Lukashenka nuk gëzon më mbështetje askund tjetër përveç në aparatin e tij të sigurisë.

Punëtorët e quajnë Lukashenkan gënjeshtar
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:40 0:00

Radio Evropa e Lirë: Të hënën, Lukashenka tha se ishte gati të ndajë pushtetin dhe të ndryshojë Kushtetutën, por që këtë të mos e bëjë nën presionin e protestuesve. Si e komentoni deklaratën e tij? Si një përpjekje për të blerë kohë, në mënyrë që të zbehë protestën, apo një njohje e realitetit për të përgatitur hapësirë për një zgjidhje, përfshirë një garanci për imunitet?

Mark Galeotti: Siç duket, taktika e tij është që duke premtuar zgjedhje të reja të presë lëvizjet e opozitës, sepse ai e di që këtë proces mund ta zgjasë sa të dëshirojë. Ai shpreson se entuziazmi revolucionar do të ulet. Por, Svetlana Tikhanovskaya (kandidatja e opozitës në zgjedhjet presidenciale), dhe pjesa tjetër e opozitës nuk bien pre e taktikave të tij, prandaj duan që nga faza e protestave të kalojnë në fazën tjetër, atë të krijimit të një strukture politike rivale.

Radio Evropa e Lirë: Është e qartë se shumica e qytetarëve e përkrahin ndryshimin, por në të kaluarën ata nuk ishin të gatshëm të dilnin në rrugë pasi kanë pasur frikë nga represioni. Tani duket se ka ardhur një pikë kthese dhe njerëzit nuk kanë frikë, përkundër konfrontimit brutal midis policisë dhe protestuesve në ditët e para pas zgjedhjeve.

Mark Galeotti: Absolutisht. Po krijohet një masë kritike. Qeveritë autoritare dëshirojnë që kundërshtarët të ndjehen të izoluar dhe të jenë pakicë. Por, në momentin që protestat arrijnë në këto përmasa, njerëzit e kuptojnë që janë në shumicë. Përveç protestës së të dielës në Minsk, qytetarët po protestojnë anembanë vendit. Prandaj, nuk ka asnjë mënyrë që ky regjim të mbijetojë.

Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se përveç aparatit të sigurisë, Lukashenka nuk gëzon mbështetjen e pjesëve tjera të shoqërisë. Sidoqoftë, kemi parë informacione se disa pjesëtarë të policisë kanë shprehur solidaritet me protestuesit. A mund të presim së shpejti çarje më të mëdha brenda regjimit? Për shembull, shërbimet e inteligjencës së pari kanë të gjitha informacionet e disponueshme në lidhje me situatën aktuale dhe çfarë mund të pritet, kështu që ndodh shpesh që ata të anulojnë mbështetjen e tyre për liderin dhe të ndryshojnë palët kur shohin që status quo-ja është e paqëndrueshme. Kemi shembullin e ambasadorit të Bjellorusisë në Sllovaki, i cili mbështeti publikisht protestuesit gjatë fundjavës. Pra, a mund të priten së shpejti çarje të tilla në nivelet e larta të regjimit?

Mark Galeotti: Thënë sinqerisht, është shumë e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë saktësisht kur situata po ndryshon kaq shpejt. Por, ne duhet të shikojmë se çfarë po ndodh me forcat e sigurisë në të cilat mbështetet Lukashenka, për dy arsye.

Së pari, nëse në mesin e tyre do të vie deri të një kundërshtim i bindjes dhe kalim në pozicionin e opozitës. Kjo mund të jetë vendimtare. Së dyti, në situata të tilla, momenti është i rëndësishëm. Shumë pjesëtarë të aparatit të sigurisë ndoshta nuk ndjehen rehat për shkak të kësaj situate. Ata nuk duan të marrin pjesë në këtë dhe të përdorin dhunë ndaj fëmijëve të fqinjëve të tyre dhe të tjerëve. Nga ana tjetër, ata kanë frikë nga pasojat nëse refuzojnë urdhrat. Ne pamë një situatë të ngjashme gjatë grushtit të shtetit në Bashkimin Sovjetik më 1991. Kur filloi të rritet numri i atyre që dezertuan, edhe të tjerët u bashkuan me ata. Në situata të tilla, njerëzit ndjehen më të sigurt dhe mendojnë se po e braktisin palën humbëse. Në këtë rast, nëse ata që largohen arrijnë një numër të caktuar, atëherë situata mund të ndryshojë shumë shpejt, sepse Lukashenka e ka humbur atë mbështetje.

Radio Evropa e Lirë: Policia nuk po reagon aq dhunshëm sa në ditët e para pas zgjedhjeve. Aktualisht duket sikur një vakuum politik. Cili do të jetë hapi tjetër? A do të përpiqen protestuesit të marrin në dorë ndërtesat e qeverisë? Nga ana tjetër, Lukashenka deklaroi gjatë fundjavës se ai nuk do të tërhiqet me asnjë kusht.

Mark Galeotti: Liderja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, dhe sipas të gjitha gjasave fituesja e vërtetë e zgjedhjeve presidenciale, tash po flet për formimin e një lloj qeverie në mërgim. Është mbresëlënëse që protestat nuk janë të dhunshme dhe nuk mendoj se do të shkojnë në atë fazë. Në vend të kësaj, me siguri do të jemi dëshmitarë të një përpjekjeje për të krijuar struktura politike që do të ishin kundërshtare të Lukashenkas.

Një protestuese në Bjellorusi përqafon një pjesëtar trupave të Ministrisë së Brendshme.
Një protestuese në Bjellorusi përqafon një pjesëtar trupave të Ministrisë së Brendshme.

Ta përsëris edhe njëherë, vendimtare do të jetë që të inkurajohen anëtarët e elitës qeverisëse t'i tregojnë Lukashenkas se është koha për t'u larguar. Ai mund të jetë i gatshëm të luftojë deri në fund, por ka shumë anëtarë të regjimit që nuk duan që ai t'i marrë ata me vete. Pra, afërsisht javën tjetër, mund të priten bisedime, prapa skenës, me qëllim që të inkurajohen disa anëtarë të qeverisë të largohen.

Radio Evropa e Lirë: Le të kalojmë në rolin e aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, kryesisht Rusisë dhe BE-së, dhe pjesërisht Kinës. Vitet e fundit, Lukashenka është përpjekur të krijojë një balancë mes Moskës dhe Brukselit. A është Rusia e gatshme të përdorë të njëjtin skenarë të ndërhyrjes sikurse më 2008 në Gjeorgji dhe 2014 në Ukrainë, sepse nuk ka dyshim se Bjellorusia ka një rëndësi të madhe gjeostrategjike për Moskën?

Mark Galeotti: Nuk ka asnjë provë që Rusia është entuziaste për ndërhyrjen në Bjellorusi. Ajo nuk ka shumë besim te Lukashenka. Në aspektin gjeostrategjik, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin llogarit që Bjellorusia nuk duhet të lejohet të kthehet në Evropë, më saktë të bëhet anëtare e BE-së, NATO-s ose ndonjë organizate të ngjashme. Sidoqoftë, opozita bjelloruse në asnjë mënyrë nuk është duke mbrojtur një kthesë të tillë në këtë kohë. Qëllimi i saj i vetëm është të rrëzojë Lukashenkan dhe të mbajë zgjedhje të reja.

Nëse Putini vlerëson se ekziston rreziku për orientimin strategjik të Bjellorusisë, në atë rast ai mund të konkludonte se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç ndërhyrjes ushtarake. Sidoqoftë, çështja është se nuk ka asnjë grup të votuesve në Rusi që do të dëshironte një ndërhyrje të tillë. Gjithashtu një i tillë nuk ekziston as në Bjellorusi, ose më saktë, ai nuk ka barasvlerë me Krimenë, Donbasin, ose Osetinë e Jugut dhe Abkazinë.

Pra, nuk ka ndonjë rajon në Bjellorusi ku trupat ruse do të hynin dhe ta "çlironin". Është fakt se bjellorusët do të kundërshtonin një ndërhyrje të tillë. Kjo do të thotë që do të ishte një strategji shumë e rrezikshme për Moskën, megjithëse nuk është e pamundur, por është pothuajse opsioni i fundit për të cilin do të vendosnin. Vetëm nëse ka frikë se Bjellorusia do të drejtohet kah Perëndimi dhe Rusia do ta humbasë atë.

Por, siç thashë, kjo nuk është temë tani. Sigurisht, dikush mund të thotë se sipas Traktatit të Sigurisë Kolektive (anëtare të së cilit janë Rusia dhe Bjellorusia), Rusia ka një detyrim të mbrojë Bjellorusinë, por në një kuptim rreptësisht juridik, kjo mund të zbatohet në rast të një agresioni të jashtëm kundër Bjellorusisë.

Reagime në botë për trazirat në rritje pas zgjedhjeve në Bjellorusi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:50 0:00

Radio Evropa e Lirë: Sidoqoftë, Rusia mund të ndërhyjë duke përdorur arsyetimin se forcat e NATO-s janë shumë afër kufirit të Bjellorusisë dhe se ato e kërcënojnë sovranitetin e saj, siç ka paralajmëruar edhe Lukashenka.

Mark Galeotti: Rusia gjithmonë mund të gjejë një justifikim, por thelbi qëndron në faktin se bjellorusët nuk do të dëshironin ardhjen e trupave të saj. Ky do të ishte një rrezik serioz për Moskën sepse ushtria bjelloruse do ta kundërshtonte atë. Gjithashtu, Rusia nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për Bjellorusinë, sepse është një vend i varfër. Prodhimi i saj i brendshëm bruto për kokë banori është vetëm sa gjysma e Rusisë. Prandaj, në rast të një ndërhyrjeje në Bjellorusi, Rusia do të përballet me konflikt të armatosur, humbje ekonomike dhe telashe në skenën ndërkombëtare. Pra, Moska mund ta bëjë këtë, por më shumë do të preferojë që ta shmangë atë.

Radio Evropa e Lirë: Cili është pozicioni i opozitës kur bëhet fjalë për pozicionin ndërkombëtar të vendit. A mbështeten ata më shumë në BE-në apo përpiqen të balancojnë ndërmjet Brukselit dhe Moskës? A janë ata pro-perëndimorë si autoritetet aktuale të Ukrainës?

Mark Galeotti: Ata luajnë një lojë shumë të mençur, duke shmangur qëndrimin kur bëhet fjalë për pozicionin ndërkombëtar të Bjellorusisë. Ata nuk bënë asnjë premtim në kuptimin që do të ishin më pro-perëndimorë. Ata duan më shumë demokraci. Ndoshta paralelja më e mirë është me situatën në Armeni në të cilën pati një revolucion dhe demokratizim të vendit.

Radio Evropa e Lirë: Cili është roli i Kinës. Presidenti i saj, Xi Jinping, ishte ndër të parët që uroi Lukashenkan për fitoren e tij. Investimet kineze në Bjellorusi kanë qenë në rritje vitet e fundit.

Mark Galeotti: Unë mendoj se Kina do të qëndrojë mënjanë sepse çdo rezultat i kësaj situate është në favor të saj. Nëse Lukashenka mbijeton, Pekini do të vazhdojë të investojë si pjesë e projektit të saj "Brezi dhe Rruga". Nëse Lukashenka largohet, kushdo që vjen në pushtet do të dëshirojë të zhvillojë Bjellorusinë ekonomikisht dhe do të kërkojë investime të huaja, gjë që i jep mundësi Kinës për të investuar. Pra, Pekini do të bashkëpunojë me Minskun pavarësisht se kush është në pushtet.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni rolin e BE-së. Ajo akuzon autoritetet bjelloruse për manipulime elektorale dhe përdorim të forcës brutale kundër protestuesve. Ka njoftuar edhe vendosjen e sanksioneve individuale ndaj anëtarëve të regjimit, por asgjë më shumë se kaq. Edhe rreth këtyre sanksioneve, ka dallime. Kështu, Hungaria abstenoi, dhe Polonia dhe disa vende të tjera, nga frika e përsëritjes së skenarit të Ukrainës me aneksimin e Krimesë. Ekziston përshtypja se po përsëritet pavendosmëria e bllokut evropian sikurse në situatat e krizës në Gjeorgji dhe Ukrainë.

Mark Galeotti: Kjo paraqet problem sepse BE-së po vepron shumë ngadalë, dhe situata në Bjellorusi po ndryshon me shpejtësi. Edhe sanksionet e përmendura, të cilat nuk do të kenë ndonjë ndikim thelbësor, mund të hyjnë në fuqi në fund të këtij muaji dhe deri në atë kohë situata në Bjellorusi do të zgjidhet në një mënyrë ose një tjetër.

Të flasim në mënyrë objektive, BE-ja nuk mund të bëjë shumë për të përmirësuar situatën, por mund të veprojë në mënyrë që të mos përkeqësohet ajo. Mund të veprojë siç bën Lituania, mund të sigurojë azil për aktivistët e opozitës si dhe familjet e tyre, sepse përmes tyre Lukashenka kërkon të bëjë presion ndaj kundërshtarëve të tij.

Së dyti, BE-ja duhet ta shprehë qartë se nuk është qëllimi i saj të tërheqë Bjellorusinë nën krahun e saj, për çka Moska ka paranojë, pasi ajo i sheh të gjitha si një luftë midis Rusisë dhe Perëndimit.

Pra, BE-ja duhet ta thotë në mënyrë të qartë se Lukashenka duhet të largohet, por kjo nuk do të thotë që ajo dëshiron ta "vjedhë" Bjellorusinë nga Rusia, por që të dy palët duhet të punojnë së bashku. Për shkak të strukturës së saj burokratike dhe nevojës që secili vendim të merret unanimisht, BE-ja po vepron ngadalë dhe prandaj nuk është në gjendje t'i përgjigjet një krize si kjo që po zhvillohet me shpejtësi.

Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, cili do të jetë çelësi për të gjetur një zgjidhje? Është e qartë se mbajtja e status quo-së nuk është realiste dhe disa ndryshime pritet të ndodhin. A do të jenë kyçë faktorët e brendshëm, apo mund të ndikojnë aktorët e jashtëm?

Mark Galeotti: Unë mendoj se kjo në thelb është një çështje e brendshme, në kuptimin që bjellorusët po përpiqen të marrin një vendim për të ardhmen e tyre. Sigurisht, siç thashë, ndërhyrja ruse është e mundur. Sidoqoftë, BE-ja gjithashtu duhet të paralajmërojë anëtarët e policisë në nivele më të ulëta se nëse ata vazhdojnë t'i shërbejnë regjimit, atëherë ata nuk do të marrin vizë për të hyrë në vendet anëtare të këtij blloku.

Prandaj, duhet t'u tregohet autoriteteve bjelloruse se sjellja e tyre po monitorohet dhe se do të ketë pasoja, mbase jo sot, por nesër ose në të ardhmen ndaj atyre që përdorin forcën për të mbrojtur regjimin, i cili në thelb është i vdekur. Në ndërkohë, vetë qytetarëve të Bjellorusisë duhet t'u mundësohet të arrijnë zgjidhjen që dëshirojnë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG