Ndërlidhjet

Edhe kalimet transit nga Kosova në M. të Veriut me test negativ për koronavirus


Ilustrim.

Maqedonia e Veriut do t’iu kërkojë shtetasve të Kosovës test negativ për koronavirus edhe për kalimet transit nëpër territorin e saj.

Kështu ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pas mbledhjes së Komisionit të Sëmundjeve Infektive ku edhe ka dalë propozimi për shkak të siç thuhet gjendjes jo të mirë epidemiologjike me koronavirurs në Kosovë.

“Pasagjerët gjatë kalimit transit duhet të tregojnë një test PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë”, ka njoftuar Filipçe.

Test PCR përcakton nëse një person është i infektuar me koronavirus në kohën kur testohet.

Vendimi pritet të kalojë në mbledhje të qeverisë maqedonase dhe menjëherë do të hyjë në fuqi.

Maqedonia e Veriut në qershor ka vendosur ndalimin e hyrjeve për qytetarët e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjës duke u kërkuar test negativ për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirus, por kishte lejuar kalimin e tyre transit.

Një masë të tillë me Maqedoninë e Veriut nga qershori ka aplikuar edhe Kosova, duke ndaluar edhe kalimet transit, përveç rasteve kur kalimet bëhen në mënyrë të organizuar.

Ndërkohë, Serbia nga java e kaluar ka vendosur sërish masën e ndalimit të hyrjes së shtetasve të Maqedonisë së Veriut në territorin e saj pa test negativ.

Maqedonia e Veriut të martën ka regjistruar dy viktima dhe 108 persona të infektuar me koronavirus nga 1,902 mostra të testuara.

Viktimat janë nga Kumanova ndërsa numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Shkup, me gjithsej 45 raste.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nga 13,076 persona të diagnostikuar me COVID-19, 551 prej tyre kanë vdekur, 9,625 janë shëruar ndërsa 2,900 ende janë aktivë.

Deri tani në Maqedoninë e Veriut janë testuar 130,840 persona.

XS
SM
MD
LG