Ndërlidhjet

Pandemia shtyn qytetarët t’i kursejnë paratë


Ilustrim

Kursimet e qytetarëve në bankat komerciale janë rritur gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit në Kosovë, tregojnë të dhënat zyrtare.

Rritja e kursimeve, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, ka ndodhur për shkak se bizneset i kanë kursyer paratë dhe nuk kanë investuar, kurse qytetarët për shkak të perspektivës së pasigurt të shkaktuar nga pandemia, nuk kanë bërë shpenzime të zakonshme, por kanë kursyer para.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, deri më 1 gusht, niveli i depozitave ka kaluar vlerën prej mbi 4 miliardë euro. Mbi 150 milionë euro është shuma e kursimeve që është rritur në institucionet financiare nga muaji mars, kur në Kosovë, janë shënuar rastet e para me koronavirus. Sipas BQK-së, shuma e depozitave, ka qenë 3.8 miliardë euro.

Nga vlera e përgjithshme prej mbi 4 miliardë eurosh, kursime të ekonomive familjare janë mbi 2.6 miliardë, të tjerat të korporatave financiare dhe jo financiare.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, për Radion Evropa e Lirë thotë se shuma e kursimeve është rritur për 5 për qind nëse krahasohet më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Është për çudi që në kohën e pandemisë të ketë një rritje të tillë të depozitave. Kjo, mendoj se është për dy arsye, arsyeja e parë është besueshmëria që sektori bankar ka tek publiku dhe arsyeja tjetër është fakti që njerëzit, duke pasur parasysh atë frikën se mos po përsëritet pandemia - çështja e pandemisë është një çështje delikate më vete, marrë parasysh faktin se sa do të zgjasë - dhe kjo është arsye shtesë që qytetarët dhe kompanitë kanë hezituar të investojnë apo të shpenzojnë paratë”, thotë Mehmeti.

Edhe Blend Hyseni, hulumtues i lartë në Institutin GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë kohës së pandemisë te qytetarët dhe bizneset ka ekzistuar një lloj frike për t’i shpenzuar paratë. Bizneset, thotë ai, janë duke e zhvilluar veprimtarinë e tyre, por për shkak të rënies se kërkesës, i kanë ndaluar investimet e reja.

Bizneset e vazhdojnë mënyrën e të bërit biznes, por nëse kanë planifikuar të investojnë, ato i kanë eliminuar, sepse është e paqartë dalja nga kriza e pandemisë dhe normalisht që mjetet mbesin në bankë”, thotë Hyseni.

Kurse, qytetarët i kanë kursyer paratë, për shkak të paqartësisë rreth përfundimit të pandemisë, por edhe rrezikut të humbjes së vendeve të tyre të punës. Në muajt mars dhe prill, rritja e kursimeve, sipas Hysenit, ka ndodhur edhe për shkak të pamundësisë fizike të qytetarëve për të konsumuar në lokale dhe restorante, pasi ishin të mbyllura për shkak të masave kufizuese nga autoritetet kompetente për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Sa i përket konsumatorëve, e ardhmja është e pasigurt dhe kursejnë për të ardhmen, pasi nuk e dinë a do të mund t’i ruajnë vendet e tyre të punës. Por, ka ekzistuar edhe pamundësia e shpenzimeve të parave, pasi sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë qenë të mbyllur dhe qytetarët nuk kanë mundur të dalin në restorante ose të bëjnë shpenzime luksoze. Kështu që është e pritshme rritja e depozitave”, vlerëson Hyseni.

Ndryshe, vlera e depozitave e tejkalon edhe shumën e kredive të përgjithshme në nivel vendi.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e kredive ka arritur në 3.1 miliardë euro, ekonomitë familjare kredi në bankat komerciale kanë mbi 1.1 miliard, kurse bizneset rreth 2 miliardë euro.

XS
SM
MD
LG