Ndërlidhjet

Trump pranon nominimin nga Partia Republikane si kandidat për president


Presidenti Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump
Presidenti Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, e cilësoi Partinë Demokratike dhe të nominuarin e tyre presidencial, Joe Biden, si majtistë radikalë që janë një kërcënim për "ëndrrën amerikane".

Trump, komentet i bëri gjatë fjalimit të tij, në mbyllje të Konventës Kombëtare Republikane.

Ai ka pranuar nominimin e tij nga Partia Republikane si kandidat për rizgjedhje në postin e presidentit. Kundërkandidat i tij në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor është Joe Biden.

Trump, duke folur në një skenë të madhe jashtë Shtëpisë së Bardhë, tha se Biden do të "shkatërrojë madhështinë amerikane" nëse zgjidhet.

Trump tha se administrata e tij "kishte kaluar katër vitet e fundit për të përmirësuar dëmin që Joe Biden i shkaktoi si senator dhe nënpresident”, duke shtuar se gjithçka që administrata Trump kishte arritur "tani është në rrezik".

Profil: Presidenti i SHBA-së, Donald Trump
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:07:54 0:00

"Demokratët nuk e shohin Amerikën si kombin më të lirë, të drejtë dhe të jashtëzakonshëm në tokë. Në vend të kësaj, ata shohin një komb të dobët që duhet të ndëshkohet për mëkatet e tij”, tha Trump.

Ai pyeti se si kjo parti mund ta udhëheqë vendin "kur harxhon kaq shumë kohë duke shkatërruar atë?"

Duke folur për pandeminë e koronavirusit dhe çështjet racore, si dy probleme që kanë përfshirë vendin, Trump tha se Biden vetëm do të përkeqësonte grindjet racore mbi sulmet policore ndaj amerikanëve me ngjyrë.

"Këto zgjedhje do të vendosin nëse ne i mbrojmë amerikanët që zbatojnë ligjin, ose nëse ne i lëshojnë frerët ndaj anarkistëve dhe kriminelëve që kërcënojnë qytetarët tanë", tha Trump.

"Askush nuk do të jetë i sigurt në Amerikën e Bidenit", tha Trump.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, iu përgjigj deklaratave të Trumpit.

"Kur Donald Trump thotë sonte që nuk do të jesh i sigurt në Amerikën e Joe Biden, shiko përreth dhe pyete veten: Sa i sigurt ndihesh në Amerikën e Donald Trump?", shkroi Biden në rrjetin social Twitter.

Trump, gjatë fjalimit të tij, tha se sistemi i drejtësisë duhet të mbajë përgjegjës këdo që angazhohet në sjellje të pahijshme dhe se "rregulli i turmave" nuk duhet të lejohet kurrë.

Ai nuk e përmendi Jacob Blake, njeriun me ngjyrë që u qëllua në shpinë në Kenosha, Uiskonsin.

Republikanët pretendojnë se dhuna që ka shpërthyer në Kenosha dhe disa qytete të tjera amerikane është faji i guvernatorëve dhe kryetarëve demokratë. Biden, tha për MSNBC se Trump po i vë "rrënjë dhunës" sepse ai e shikon atë si diçka të dobishme në aspektin politik.

"Ai po derdh benzinë në zjarr", tha ai.

Fushata presidenciale ka qenë kryesisht në hije të debateve për pandeminë e koronavirusit, e cila ka lënë më shumë se 180,000 amerikanë të vdekur si dhe miliona të pa punë.

Trump përsëriti pohimin e tij se Kina është fajtore për pandeminë si dhe premtoi se do të rindërtojë ekonominë nëse rizgjidhet.

Si zgjidhet një president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:08:58 0:00

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë duke "kaluar këtë sfidë" duke ofruar terapi për shpëtimin e jetës si dhe do të prodhojnë një vaksinë deri në fund të vitit, ose ndoshta edhe më shpejt".

Trump përfundoi fjalimin e tij duke u zotuar të rrisë arritjet në zhvillimin e energjisë, përparimin teknologjik dhe eksplorimin e hapësirës.

Një audiencë me prani fizike e më shumë se 1.000 njerëzve, herë pas here, shpërtheu në brohorima "Katër viteve të tjera!" dhe "USA!".

Njerëzit në audiencë, gjatë fjalimit të Trumpit, nuk respektuan shumë distancën fizike ose mbajtjen e maskave të fytyrës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, megjithë rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

XS
SM
MD
LG