Ndërlidhjet

Realizohet fluturimi i parë Izrael-Emirate të Bashkuara Arabe


Këshilltari i lartë presidencial i SHBA-së, Jared Kushner, dhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O'Brien, përpara se të hynë në fluturimin e El Al-it LY971, i cili do të dërgojë një delegacion izraelito-amerikan nga Tel Avivi në Abu Dhabi.

Aeroplani i parë komercial i drejtpërdrejtë, midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) ka realizuar udhëtimin e parë nga aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit, gati tre javë pasi të dyja vendet njoftuan një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve.

Aeroplani, që është në operim të El Al Israel Airlines bëri udhëtimin tre-orësh deri në Abu Dabi më 31 gusht. Në bord gjendej një delegacion i zyrtarëve izraelitë dhe amerikanë, përfshirë Jared Kushner këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump, dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Meir Ben-Shabbat.

Në Abu Dabi, zyrtarët do të takohen me përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe për të zhvilluar diskutime për fushat e bashkëpunimit midis Izraelit dhe Emiratave të Bashkuara Arabe.

"Derisa ky është një fluturim historik, shpresojmë se do të fillojë një udhëtim edhe më historik në Lindjen e Mesme dhe më gjerë", tha Kushner, i cili drejtoi bisedime sekrete të cilat rezultuan në marrëveshjen mes Izraelit dhe Emiratave.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përshëndeti realizimin e fluturimit si një shembull “të paqes".

Në aeroplan janë vendosur mbishkrime për paqe në arabisht, hebraisht dhe anglisht mbi dritaren anësore të pilotit.

Aeroplani kaloi në hapësirën ajrore të Arabisë Saudite, e cila në kushte normale është e bllokuar për trafikun ajror të Izraelit.

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan më 13 gusht se ata po vendosnin marrëdhënie të plota diplomatike përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila përfshinte një zotim izraelit për të pezulluar planet e aneksimit për pjesë të Bregut Perëndimor të okupuar.

Masa u përshëndet nga disa shtete të Gjirit, por u kundërshtua nga Irani, Turqia dhe palestinezët.

Këtë fundjavë, Emiratet e Bashkuara Arabe shfuqizuan një ligj për bojkotimin e Izraelit i cili ishte në fuqi që nga viti 1972, dhe në fillim të këtij muaji të dyja vendet hapën shërbime të drejtpërdrejta telefonike për herë të parë.

XS
SM
MD
LG