Ndërlidhjet

Kushner i bën thirrje Arabisë Saudite të normalizojë lidhjet me Izraelin


Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, tha të hënën se do të ishte në interesin e Arabisë Saudite që të normalizojë lidhjet me Izraelin, ashtu siç vepruan Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo gjithashtu do të dobësonte ndikimin në rajon të armikut të tyre të përbashkët - Iranit, u tha Kushner gazetarëve gjatë një konference telefonike, raporton AFP.

"Do të ishte shumë e mirë për biznesin saudit, do të ishte shumë mirë për mbrojtjen e saudite, dhe, sinqerisht, mendoj se do të ndihmonte gjithashtu popullin palestinez", tha Kushner.

Arabia Saudite, ekonomia më e madhe e botës arabe, ka heshtur pas njoftimit të befasishëm të presidentit amerikan, Donald Trump, të enjten e kaluar se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli kishin vendosur të normalizojnë marrëdhëniet.

Izraeli ka rënë dakord të pezullojë aneksimin e territoreve të okupuara të Bregut Perëndimor, megjithëse kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se plani nuk ishte jashtë tryezës në planin afatgjatë.

Mbreti Saudit Salman dhe djali i tij, Princi i Kurorës Mohamed bin Salman, kishin shprehur vazhdimisht dëshirën e tyre për një shtet të pavarur palestinez me mundësi ekonomike, tha Kushner.

"Në thelb, ajo që ata kanë thënë është se duan të shohin që palestinezët kanë një mundësi shtetërore dhe ekonomike", tha Kushner, i cili është edhe arkitekti i planit amerikan të paqes për Lindjen e Mesme.

Marrëveshja historike ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit është marrëveshja e tretë e tillë që Izraeli ka arritur me një vend arab. Ajo ka rritur shpresat për marrrëveshje të ngjashme me shtetet e tjera pro-perëndimore të Gjirit.

XS
SM
MD
LG