Ndërlidhjet

BE-ja kritikon Hungarinë për mbylljen e kufijve


Ilustrim.

Bashkimi Evropian kritikoi Hungarinë për një politikë diskriminuese kufitare dhe tha se do të propozojë një pako të rregullave të përbashkëta në lidhje me kufizimet e udhëtimit.

Më 28 gusht, Hungaria tha se do të mbyllë kufijtë për të huajt më 1 shtator, për të ndalur rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus, derisa hungarezët që kthehen nga vendet tjera duhet t’i nënshtrohen masës së karantinës.

Sidoqoftë, masa përjashton Poloninë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke - vendet e të ashtuquajturit Grupi i Vishegradit, të cilat shpesh kanë mospajtime me politikën e BE, veçanërisht për çështjen e migracionit.


"Çdo masë që nuk përputhet me parimet themelore të ligjit të BE-së, natyrisht duhet të tërhiqet menjëherë", tha Komisionari i Drejtësisë i BE-së, Didier Reynders.

"Ne do të flasim me zyrtarët hungarezë së shpejti për të kërkuar më shumë informacione", tha ai.

Komisioni Evropian ndërkohë tha se "në ditët e ardhshme" do të shpallë rekomandime, se si vendet anëtare të BE-së mund të harmonizojnë më mirë kufizimet e udhëtimit.

Në fillim të krizës së koronavirusit, shumë vende evropiane vendosën masën e mbylljes së kufijve edhe për vendet anëtare të BE-së.

Që nga ajo kohë, shumica e vendeve anëtare kanë ndjekur një qasje më të lokalizuar të masave, që bazohet kryesisht në situatën në rajone specifike.

Për shembull, Gjermania ka një paralajmërim të vazhdueshëm kundër udhëtimit për në kryeqytetin belg, Brukselin, por jo edhe për Francën.

Si Komisioni Evropian, ashtu edhe Gjermania, e cila mban presidencën e rradhës së BE, tani po përpiqen të sjellin një rregull në tërë këtë kaos, edhe pse politika kufitare mbetet një kompetencë e kombëtare e vendeve anëtare të BE-së, transmeton Reuters.

XS
SM
MD
LG