Ndërlidhjet

Serbia nuk ndërhyn në punët e brendshme të Malit të Zi, thotë Bërnabiq


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se Serbia në asnjë mënyrë nuk ndërhyn në punët e brendshme të Malit të Zi dhe se ajo ndjen nevojën si kryeministre për të reaguar ndaj pretendimeve të bëra nga presidenti i atij vendi, Millo Gjukanoviq, raporton Beta.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe politika e tanishme e Serbisë "treguan qëllime shumë problematike" ndaj Malit të Zi dhe se që nga miratimi i Ligjit për Liritë e Fetare në muajin dhjetor, ka pasur agresion të fortë mediatik dhe politik nga Beogradi.

Bërnabiq vlerësoi se kjo deklaratë ishte një përpjekje e mashtrimit politik nga ana e Gjukanoviqit, të cilën po e përdorë "për të shpjeguar shkaqet e rezultatit të zgjedhjeve të partisë së tij".

"Në tetë vitet e kaluara, Aleksandar Vuçiq përmendi Malin e Zi dhe Milo Gjukanoviqin më pak sesa Gjukanoviq përmendi Serbinë, në një kontekst negativ", theksoi Bërnabiq.

Ajo deklaroi se Serbia dëshiron marrëdhënie sa më të mira me Malin e Zi dhe të gjitha vendet në rajon dhe se është e përkushtuar për ndërtimin e një Ballkani të qëndrueshëm dhe të sigurt.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në 30 gusht. Tri koalicionet e opozitës fituan më shumë se gjysmën e vendeve në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Malit të Zi.

Nga 81 vende, Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Millo Gjukanoviq fitoi 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë, ndërsa tre parti të opozitës fituan 41 vende.

Ligji për Liritë Fetare, i miratuar në fund të vitit 2019, shkaktoi një konflikt të hapur midis institucioneve shtetërore dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Pjesa më e diskutueshme e këtij Ligji, përkatësisht ndryshimet e të cilit po kërkon Kisha Ortodokse Serbe, kanë të bëjnë me pronën e bashkësive fetare.

XS
SM
MD
LG