Ndërlidhjet

Hoti: Më 4 shtator presim që të finalizohet diskutimi në Uashington


Kosovo -- file -- Newly elected prime minister Avdullah Hoti, speaks to the media in the capital Pristina, Wednesday, June 3, 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se nesër, më 4 shtator pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike, që delegacioni i Kosovës dhe i Serbisë diskutoi sot në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se këto bisedime paraqesin një hap drejt marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nesër presim që ta finalizojmë të gjithë këtë angazhim që kemi pasur tash e sa kohë dhe diskutimet që patëm sot”, tha kryeministri Hoti, duke i quajtur bisedimet si historike.

“Kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale”, shtoi ai.

Hoti tha se në bisedimet që janë zhvilluar sot në Uashington është bërë përparim ekonomik.

“Unë një gjë mund të ju them, marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të papranueshme për Kosovën, asnjëherë nuk kanë ardhur dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë. E kemi bërë një progres të madh në çuarjen përpara të bashkëpunimit ekonomik dhe jemi një hap më afër përmbylljes së çështjes”, tha ai.

I pyetur nëse në këtë takim Kosova ka kërkuar njohje nga Serbia, Hoti tha:

"Për çdo gjë që flasim me Serbinë qëllimi jonë është njohja reciproke".

Nikoqirë të bisedimeve Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.
Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.

XS
SM
MD
LG