Ndërlidhjet

Hoti: Marrëveshja për ekonomi, një hap drejt njohjes reciproke


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se me Serbinë nuk bëhet asnjë diskutim tjetër, përveç se për njohje reciproke.

“Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik, është një hap më afër normalizimit përfundimtar mes dy vendeve që është vetëm njohja reciproke", ka deklaruar Hoti.

Ai këto komente i bëri në Uashington para fillimit të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me delegacionin serb, të udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kryeministri tha se pritjet nga takimi janë pozitive.

"Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimet në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar projektet për zhvillim ekonomik mes dyja vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive nga komunikimet që kemi pasur deri tash", tha Hoti duke mos dhënë më shumë detaje, por siç tha, ato do të bëhen të ditura pas raundit të parë të diskutimeve.

Më herët Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe i Serbisë meriton normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

"Sot jam i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me Perëndimin", ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Është paralajmruar se projektet infrastrukturore do të jene temat e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Në kuadër të kësaj, pritet finalizimi i marrëveshjeve për transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet mbi të cilat Kosova dhe Serbia në fillim të këtij viti kanë arritur pajtim me qëllim të normalizimit të transportit, me ndërmjetësimin e Grenell.

Delegacionet nuk e kanë mohuar mundësinë që në bisedime të diskutohet edhe për çështje tjera politike.

Më shumë për zhvillimet rreth dialogu Kosovë-Serbi në Uashington mund të lexoni KËTU.

XS
SM
MD
LG