Ndërlidhjet

Hakerët rusë “piraterojnë sërish” fushatën zgjedhore në SHBA


Ilustrim
Ilustrim

Gjiganti i teknologjisë, Microsoft, tha se hakerë të lidhur me Rusinë, Iranin dhe Kinën, hakuan njerëz dhe organizata të lidhura me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe me sfiduesin e tij në zgjedhje, Joe Biden.

Njoftimi erdhi në të njëjtën kohë kur edhe kompania këshilluese e fushatës së Bidenit tha se është njoftuar nga Microsoft se është sulmuar nga hakerët rusë - të njëjtit që kanë ndërhyrë edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Kompania e teknologjisë tha se veprimet e raportuara duket se janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të sulmuar fushatat në SHBA dhe grupet e lidhura me to, përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

"Ajo që kemi parë, është në përputhje me modelet e mëparshme të sulmeve që kishin në shënjestër jo vetëm kandidatët dhe stafin e fushatës, por edhe ata që i këshillojnë për çështjet kryesore", tha Tom Burt, nënkryetar i Microsoft-it, në një blog të postuar online.

"Këto aktivitete nxjerrin në pah nevojën që njerëzit dhe organizatat e përfshira në procesin politik, të përfitojnë nga mjetet e sigurisë falas dhe me kosto të ulët, për të mbrojtur veten, derisa i afrohemi ditës së zgjedhjeve", tha Burt.

Në muajin gusht, zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë thënë se rusët favorizojnë presidentin Trump, i cili vjen nga radhët e Partisë Republikane, dhe se Kina preferon Bidenin, ish-nën president i SHBA-së, i cili vjen nga Partia Demokratike.

Megjithatë, Microsoft tha në deklaratën e tij të fundit se hakerët e mbështetur nga shteti kinez kanë pasur në shënjestër "individë të profilit të lartë të lidhur me zgjedhjet", përfshirë edhe njerëz të lidhur me fushatën e Bidenit.

Ekspertët thonë se hakerët nga Kina zakonisht kërkojnë informacione të inteligjencës, për të fituar avantazh ekonomik dhe politik, ndërsa Moska kërkon të dhëna për të destabilizuar qeveritë e tjera.

Ndjekja e hakerëve: Loja me rrezik e macës dhe miut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:56 0:00

John Hultquist, drejtor i analizës së inteligjencës në firmën e sigurisë kibernetike FireEye, i tha agjencisë së lajmeve AP se informacionet i Microsoft-it tregojnë se inteligjenca ushtarake ruse vazhdon të ndjekë objektiva të lidhura me zgjedhjet, pavarësisht padive ligjore nga autoritetet amerikane, sanksioneve dhe masave të tjera.

"Është aktori i vitit 2016 - potencialisht duke bërë punë si zakonisht”.

"Ne besojmë se inteligjenca ushtarake ruse vazhdon të paraqesë kërcënimin më të madh për procesin demokratik", tha Hultquist.

Agjencitë e inteligjencës amerikane dhe hetuesit e Kongresit amerikan kanë konstatuar se inteligjenca ushtarake ruse ka ndërhyrë në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2016, për të mbështetur Trumpin, duke pirateruar caqe të Partisë Demokratike dhe duke publikuar lajme të rreme në internet. Moska i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Grupi i dyshuar i hakerëve është një njësi brenda agjencisë së inteligjencës ushtarake ruse, GRU.

Ai grup, i njohur si APT28 ose "Fancy Bear", dhe grupe të tjera ruse të hakimit janë fajësuar viteve të fundit nga qeveri të shumta perëndimore, grupe studimore dhe korporata, për kryerjen e sulmeve të shumta kibernetike.

Përpara deklaratës së Microsoft-it, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë raportet e mediave në lidhje me piraterinë e fundit.

Ai tha se është “e pakupimtë” ajo që publikojnë nganjëherë agjencitë e respektuara të lajmeve.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG