Ndërlidhjet

Maqedonia e V. regjistron 37 të infektuar me koronavirus dhe 4 viktima


Shkup, Maqedoni e Veriut
Shkup, Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut të hënën regjistroi 37 të infektuar me koronavirus - shifër kjo më e ulëta në dhjetë ditët e fundit - bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Sipas saj, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën katër pacientë me koronavirus, me të cilët numri i përgjithshëm i viktimave nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, arrin në 652.

Në raportin e ministrisë po ashtu bëhet e ditur se në 24-orëshin paraprak janë shëruar edhe 131 pacientë.

Rastet e reja të raportuara i referohen testimit të 464 mostrave.

Maqedonia e Veriut, në total, ka diagnostikuar 15,827 raste me koronavirus.

Numri i rasteve aktive aktualisht qëndron në 1,860.

Shkupi, Kumanova, Prilepi dhe Tetova janë qytetet me numrin më të lartë të të infektuarve, viktimave dhe të rasteve aktive.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e Maqedonisë së Veriut njoftoi të hënën për mbylljen e një kopshti në qytetin e Sveti Nikollës, ku është regjistruar një rast me COVID-19.

Në dy kopshte të tjera, në Shkup dhe Manastir, ku po ashtu janë regjistruar raste të të infektuarve, të hënën ka vazhduar puna, ndërsa një pjesë e personelit dhe fëmijëve janë futur në izolim.

Ministria e Arsimit po ashtu njoftoi se ka marrë në shqyrtim kërkesën e Unionit të Shkollave të Mesme, që kërkon kthimin në shkollë të gjimnazistëve nga data 1 tetor - në të kundërtën, kërcënon me bojkotimin e mësimit online.

Nga Ministria e Arsimit thanë se fjalën përfundimtare për këtë kërkesë do ta ketë Komisioni i Sëmundjeve Infektive.

XS
SM
MD
LG