Ndërlidhjet

Gucati në Hagë për shkak të pengimit të drejtësisë   


Arrestohen krerët e veteranëve të UÇK-së
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Arrestohen krerët e veteranëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara në Hagë konfirmuan se kundër kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është lëshuar fletarrestim për vepra penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, thuhet në njoftimin e këtyre dhomave, që në Kosovë njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Gucati u arrestua të premten në Prishtinë në zyrat e OVL të UÇK-së.

Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se Gucati tashmë është transferuar në objektin e paraburgimit të këtyre dhomave në Hagë.

Objekti i Paraburgimit i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndodhet në kompleksin e burgut PI Haaglanden në Hagë.
Objekti i Paraburgimit i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndodhet në kompleksin e burgut PI Haaglanden në Hagë.

“Ka dyshim të bazuar se zoti Gucati ka mbajtur tri konferenca për media më 7, 16 dhe 22 shtator, 2020, ku ai ka shpërndarë ose ka bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale”, thuhet në fletarrestin e lëshuar për Gucatin.

Ndërkaq, për paraqitjen e parë të Gucatit para gjykatësit të procedurës paraprake, Dhomat e Specializuara thonë se do të njoftojnë më vonë.

Më herët, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka konfirmuar arrestimin e Gucatit, në bazë të, siç u tha “një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Menjëherë pas arrestimit të Gucatit, avokati i OVL të UÇK-së, Tomë Gashi, tha se "në bazë të vendimit që e kemi parë, mund të ketë gjasa që ai (Gucati) është arrestuar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë”.

Përmes një njoftimi për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se Misioni Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX) dhe Policia e Kosovës i dha mbështetje operative dhe logjistike Prokurorisë së Specializuar gjatë arrestimit të Gucatit.

Gucati u arrestua në zyrat e OVL të UÇK-së, ku gjatë ditës, zyrtarë të EULEX-it dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kryen bastisje për më shumë se 8 orë.

Faton Klinaku, sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë të ditur se nga zyrat janë marrë shtëpiza të kompjuterëve dhe incizimet e kamerave të ditëve të fundit. Ai ka bërë të ditur se janë kontrolluar dosjet e veteranëve të UÇK-së, por nuk janë marrë.

Po ashtu, gjatë së premtes, në një lagje të Prishtinës, nga zyrtarët e Prokurorisë së Specializuar dhe Policia e Kosovës u shoqërua edhe Nasim Haradinaj, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve.

Arrestimin e Nasim Haradinajt, megjithatë, nuk e ka konfirmuar Prokuroria në Hagë.

Arrestimi i Hysni Gucatit
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

Bastisjet nga EULEX-i në zyrat e OVL të UÇK-së, kishin nisur rreth orës 11. Në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjatë bastisjes së Zyrave të OVL-së nga EULEX-i, para këtyre zyrave ishin mbledhur disa qytetarë në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të Gucatit.

Arrestimi i Gucatit dhe Haradinajt pason arrestimin një ditë më parë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tij.

Më herët, Nasim Haradinaj, në një prononcim për media para zyrave të OVL-së, i kundërshtoi bastisjet e EULEX-it që janë bërë në zyrat e OVL të UÇK-së.

“Nuk e njohim këtë gjykatë (Gjykatën Speciale). Kjo është një ditë që troket në të gjitha dyert e qytetarëve të Kosovës. Tani, çka na bën të mendojmë? Na bën të mendojmë a kemi shtet, a kemi organe shtetërore, a kemi parlament, a kemi Kushtetutë”, tha ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo "mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve". Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga. Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Organizatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente. Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.

Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Prokuroria e Specializuar: Dosjet e prezantuara nga OVL e UÇK-së "minojnë administrimin e drejtësisë"

Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete, në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Kjo zyrë, po ashtu, ka thënë se “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, me forcë, individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre".

Thaçi: Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë

Pas bastisjeve në zyrat e Organizatës së Veteranëve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare”.

“Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo, nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë”, tha Thaçi përmes një deklarate për media.

deklaratën e tij për media, presidenti Thaçi tha se “rrjedhja e dokumenteve e ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë”.

“Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa, integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohen”, tha Thaçi.

“Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e së vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe së drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj”, theksoi Thaçi.

AAK dhe Nisma me kritika për bastisjet në OVL të UÇK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Nisma Socialdemokrate reaguan të premten, pas arrestimeve dhe bastisjeve të bëra në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë.

“Nuk ka arsye për operacione e bastisje”, tha Haradinaj në një postim në Facebook.

“Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë, është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë. Apeloj tek organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që t’i respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ikë drejtësisë”, shkroi Haradinaj.

Nisma Socialdemokrate, në anën tjetër, shprehu, siç tha, mospajtimin e saj për mënyrën e trajtimit të udhëheqësve të OVL të UÇK-së.

“Që nga përfundimi i luftës, pjesëtarët e UÇK-së u janë përgjigjur sistemeve të drejtësisë pa asnjë hezitim, duke filluar nga gjykatat e UNMIK-ut [Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë], Hagës dhe ato të EULEX-it [Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë]. Prandaj, askush nuk ka asnjë arsye të ndryshojë mënyrën e sjelljes në raport me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të këtij subjeki politik.

Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara "të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

XS
SM
MD
LG