Ndërlidhjet

Haga: Gucati u arrestua për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje…


Burgu i Hagës, ku ndodhen njësitë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara për Krimet e Luftës në Kosovë.
Burgu i Hagës, ku ndodhen njësitë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara për Krimet e Luftës në Kosovë.

Hysni Gucati u arrestua të premten në Kosovë për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, njoftuan Dhomat e Specializuara për Krimet e Luftës në Kosovë përmes një deklarate për media.

Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, gjatë një bastisjeje që kjo e fundit u bëri zyrave të OVL-së.

“Pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 25 shtator, 2020, Hysni Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”, thotë njoftimi dhe shton se koha e paraqitjes së Gucatit para gjykatësit të procedurës paraprake do të bëhet e ditur më vonë.

Më herët, Zyra e Prokurorit të Specializuar konfirmoi arrestimin e tij në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim.

Të premten në Kosovë, Zyra e Prokurorit të Specializuar arrestoi edhe nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinajn.

Tri herë këtë muaj, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar - në mënyrë anonime - dosje që lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë, këtë javë, se disa aktivitete në të cilat është e përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata Speciale ka selinë në Hagë dhe financohet nga Bashkimi Evropian.

Më 24 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka arrestuar edhe Salih Mustafën - njërin prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

Për më shumë rreth këtyre zhvillimeve, lexoni këtu.

XS
SM
MD
LG