Ndërlidhjet

Trump thotë se ndihet “shumë më mirë” dhe “do të kthehet së shpejti”


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkura, Donald Trump, i cili po trajtohet për sëmundjen COVID-19 në një spital ushtarak pranë Uashingtonit, tha se ndihet "shumë më mirë" dhe se shpreson se "do të kthehet së shpejti", për të përfunduar fushatën, përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Në një video 4-minutëshe të postuar të shtunën në Twitter, Trump tha se ditët e ardhshme do të jenë "prova e vërtetë", ndërsa i falënderoi të gjithë në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën për mbështetjen e tyre.

"Ne do ta mundim këtë koronavirus", tha Trump, duke shprehur optimizëm për efektivitetin e terapive kundër koronavirusit.

Trump dhe Zonja e Parë, Melania, u diagnostikuan me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, të premten.

Trump, në të njëjtën ditë, u shtrua në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed.

Mjekët që janë duke e trajtuar presidentin, thanë më herët se ai është në "disponim jashtëzakonisht të mirë", pa temperaturë dhe pa vështirësi në frymëmarrje, ndërsa një anëtar i stafit të tij tha se dy ditët e ardhshme do të jenë kritike për presidentin 74-vjeçar.

“Këtë mëngjes, presidenti ndjehet shumë mirë”, tha doktor Sean Conley. Trump ka qenë pa temperaturë për 24 orë dhe aktualisht nuk po trajtohet me oksigjen, shtoi ai.

"Ekipi dhe unë jemi jashtëzakonisht të lumtur me përparimin që ka bërë presidenti", tha Conley, por nuk pranoi të thotë se kur pritet të lirohet nga spitali.

Mjekët po ashtu refuzuan të thonë nëse presidenti ka kërkuar ndonjëherë oksigjen, pavarësisht pyetjeve të përsëritura nga gazetarët.

Trump, i cili po merr remdesivir përveç terapisë me antitrupa, mund të vazhdojë të punojë nga suita presidenciale e spitalit, tha Shtëpia e Bardhë.

Remdesiviri është një trajtim eksperimental anti-viral, i cili jepet në mënyrë intravenoze. Ilaçi ka treguar shenja të zvogëlimit të intensitetit dhe jetëgjatësisë së sëmundjes. Trump pritet ta marrë atë për pesë ditë.

Në video-mesazhin e publikuar të shtunën, Trump e vlerësoi edhe punën e ekipit mjekësor.

Procesi zgjedhor në SHBA pasi që presidenti rezulton me koronavirus
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:55 0:00

Sëmundja e papritur e Trumpit shënoi goditje mbi fushatën e tij për zgjedhjet e nëntorit. Trump do të garojë për rizgjedhje më 3 nëntor, kundrejt kandidatit demokrat, Joe Biden.

Trump e ka minimizuar në disa raste kërcënimin e pandemisë së koronavirusit dhe rrallë ka veshur maskë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG