Ndërlidhjet

HRW: Sulmet siriano-ruse në Idlib mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit


Idlib, Siri.
Idlib, Siri.

Human Rights Watch (HRW) thotë se qeveria siriane dhe aleati i saj rus kanë treguar "shpërfillje" për jetën e miliona civilëve gjatë ofensivës së tyre ushtarake për të rimarrë enklavën e fundit të mbajtur nga rebelët, në veriperëndim të Sirisë.

Në një raport të lëshuar më 15 tetor, grupi i të drejtave të njeriut me bazë në Nju York tha se sulmet ajrore dhe tokësore ndaj zonave civile në provincën Idlib mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

"Sulmet e përsëritura të aleancës siriano-ruse ndaj infrastrukturës civile në zonat e populluara në të cilat nuk kishte asnjë objektiv të dukshëm ushtarak sinjalizojnë se ishin të paligjshme dhe të qëllimshme", tha HRW në raportin e saj, të titulluar “Jetesa në shënjestër në Idlib: Sulmet Siriane dhe Ruse në Infrastrukturën Civile”.

Sipas raportit, qindra civilë u vranë në dhjetëra sulme ajrore dhe tokësore në spitale, shkolla dhe tregje, gjatë një periudhe 11-mujore.

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Siri më 2015 ndryshoi kahun e luftës, duke lejuar forcat e presidentit, Bashar al-Assad, të rimarrin kontrollin mbi pjesën më të madhe të territorit dhe popullsisë së vendit.

Qeveria siriane është zotuar të rimarrë kontrollin në provincën Idlib, e cila kontrollohet kryesisht nga grupi - Hayat Tahrir al-Sham - ish-bashkëpunëtor të Al-Kaidës në Siri.

Grupi është shpallur si një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara dhe Rusia.

Rajoni i Idlib-it ka rreth 3 milionë civilë, shumë prej tyre në kampe refugjatësh, pasi ishin zhvendosur më parë nga pjesë të tjera të Sirisë.

Në prill të vitit 2019, qeveria siriane dhe Rusia filluan një ofensivë të madhe ushtarake për të rimarrë Idlibin dhe zonat përreth në Sirinë veriperëndimore, duke thënë se forcat e tyre po sulmoheshin nga fraksionet rebele dhe se po luftojnë "terrorizmin".

Pasi forcat pro-qeveritare rimorën gjysmën e krahinës, një armëpushim i brishtë i negociuar nga Rusia dhe Turqia në Mars 2020 ka ulur shkallën e luftimeve.

Ofensiva vrau të paktën 1,600 civilë, shkatërroi dhe dëmtoi infrastrukturën civile dhe detyroi zhvendosjen e rreth 1.4 milion njerëzve, sipas HRW.

Ndërkohë sipas organizatës "mundësia e luftimeve të reja dhe rreziqet për civilët, janë të mëdha".

Lufta brutale nëntëvjeçare e Sirisë ka marrë më shumë se 400,000 jetë, ka zhvendosur mbi 6 milionë banorë brenda vendit dhe ka detyruar të paktën 5.5 milionë të tjerë të jetojnë si refugjatë, sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG