Ndërlidhjet

Franca u bën thirrje qytetarëve të saj për kujdes teksa rritet zemërimi për karikaturat


Ilustrim.

Franca ka paralajmëruar qytetarët e saj, që jetojnë apo udhëtojnë në disa shtete me shumicë myslimane, të jenë tejet të kujdesshëm në kohën e zemërimit të rritur për shkak të disa karikaturave të shfaqura të Profetit Muhamed.

Ministria e Jashtme e këtij shteti, u ka bërë thirrje qytetarëve francezë në Indonezi, Bangladesh, Irak dhe Mauritani, që të qëndrojnë larg nga secila protestë që mund të zhvillohet rreth këtyre karikaturave, si dhe të qëndrojnë larg organizimeve publike.

Ambasada franceze në Turqi ka nisur kërkesë të ngjashme për qytetarët e saj atje.

Më 27 tetor në Bangladesh, dhjetëra mijëra protestues kanë mbajtur fotografi të presidentit francez, Emmanuel Macron me fjalët: “Macron është armiku i paqes”.

Në Iran, Ministria e Jashtme ka ftuar për intervistim të dërguarin francez në këtë shtet lidhur me karikaturat, kanë raportuar mediat shtetërore iraniane ditën e martë.

Zemërimi është ngjallur pas një sulmi me thikë jashtë një shkolle franceze më 16 tetor, në të cilin një burrë me origjinë çeçene i ka prerë kokën mësuesit Samuel Paty, i cili u ka treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed gjatë një ore mësimi rreth lirisë së shprehjes.

Karikaturat - të publikuara vite më parë nga revista satirike franceze, Charlie Hebdo, zyrat editoriale të së cilës janë sulmuar më 2015 nga sulmues që kanë lënë të vdekur 12 persona - shihen si blasfemi nga disa myslimanë.

Prej prerjes së kokës së Patyt, karikaturat janë shfaqur në disa pjesë të Francës, në shenjë solidariteti, derisa Macron, i cili është takuar me komunitetin mysliman në Francë, është zotuar se do ta luftojë “separatizmin islamist”.

Presidenti rus, Recep Tayyip Erdogan, ka qenë një prej kritikëve më të ashpër të Qeverisë franceze, duke bërë thirrje për bojkotim të produkteve ushqimore franceze.

Përveç kësaj, ai i ka bërë thirrje Macronit të kontrollojë shëndetin e tij mendor, si dhe ka akuzuar Francën për agjendë kundër Islamit.

Franca është eksportuese e madhe e produkteve bujqësore në shumë shtete myslimane.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar të martën Turqinë se thirrjet e Erdoganit për bojkotim të mallrave franceze përbëjnë kthim mbrapa në rrugën e Turqisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Thirrjet për bojkot të produkteve të secilit shtet anëtar janë në kundërshtim me shpirtin e këtyre obligimeve dhe do ta çojnë Turqinë edhe më larg Bashkimit Evropian”, ka thënë një zëdhënës evropian.

Turqia ka aplikuar për t’iu bashkuar atëbotë, Komunitetit Ekonomik Evropian më 1987, si dhe ka nisur negociata për anëtarësim në BE më 2005, mirëpo bisedimet konsiderohen të ngrira.

XS
SM
MD
LG