Ndërlidhjet

Turqia akuzon Charlie Hebdon për "racizëm kulturor"


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti francez, Emmanuel Macron (djathas).

Turqia ka akuzuar revistën franceze Charlie Hedbo, për “racizëm kulturor”, pas publikimit të edicionit të së mërkurës, që tallet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Agjenda anti-Islame e presidentit francez (Emmanuel) Macron është duke dhënë frytet e veta”, ka thënë Fahrettin Altun, Drejtori për Komunikime i Erdoganit, duke i përshkruar karikaturat si “të neveritshme”.

Në ballinën e së mërkurës, Charlie Hebdo ka vënë karikaturën e Erdoganit, të ulur në një karrige duke ngritur lart fustanin e një gruaje me titullin, “Erdogan – ai është shumë argëtues privatisht”.

“Qartazi është produkt i ksenofobisë, islamofobisë dhe ambientit kulturor jotolerant, të cilin udhëheqësia franceze duket se e do për vendin e vet”, ka thënë Altun.

Turqia dhe Franca janë përfshirë në konflikte verbale, meqë Erdogan ka vënë në pikëpyetje shëndetin mendor të Macronit, pasi ky i fundit ka bërë të ditura masat që do të marrë për të mbrojtur vlerat sekulare të shtetit të tij kundër Islamit radikal.

“Këto sulme të papërgjegjshme dhe pashije ndaj kulturë sonë do të nxisin vetëm racizëm dhe diskriminim”, ka thënë Altun.

Erdogan këtë javë u ka bërë thirrje turqve që të bojkotojnë markat franceze, pas vendimit të ngjashëm të marrë edhe nga disa vende tjera myslimane, si përgjigje ndaj përkrahjes që ka ofruar Macron për karikaturat ku është shfaqur Profeti Muhamed, të prezantuara fillimisht nga Charlie Hebdo.

Karikaturat e Profetit Muhamed konsiderohen blasfemi për myslimanët.

Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat”, ka thënë Macron pas heqjes së kokës së mësuesit Samuel Paty afër Parisit më herët gjatë këtij muaji, pasi kishte prezantuar karikaturat para nxënësve të tij, në një orë mësimi dedikuar lirisë së shprehjes.

XS
SM
MD
LG