Ndërlidhjet

Mbi 20 të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Greqi


Shkatërrimet nga tërmeti në Turqi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:47 0:00

Shkatërrimet nga tërmeti në Turqi

Një tërmet i fuqishëm goditi të premten Detin Egje midis bregdetit turk dhe ishullit grek të Samos, duke vrarë të paktën 22 njerëz dhe duke plagosur mbi 700 të tjerë, si dhe duke shembur shumë ndërtesa, thanë zyrtarët.

Në Turqi u raportua për së paku 20 të vdekur, ndërsa dy njerëz vdiqën në ishullin grek të Samos dhe 19 u plagosën.

Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në 17 ndërtesa të shembura, ose të dëmtuara, janë duke vazhduar në Izmir.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, telefonoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për të shprehur ngushëllimet e tij.

"Pavarësisht nga dallimet tona, këto janë raste kur njerëzit tanë duhet të qëndrojnë së bashku", tha ai në Twitter. Të dyja vendet kanë qenë të përfshira, tash e sa muaj, në mosmarrëveshje lidhur me eksplorimin e gazit në Detin Mesdhe. Biseda pasoi atë mes dy ministrave të jashtëm më herët.

Sipas dëshmitarëve, me të ndodhur tërmeti, njerëzit vrapuan në rrugë në panik në qytetin bregdetar të Izmirit. Disa lagje u mbushën me ujë deti, i cili shkaktoi përmbytje.

Kryetari i Izmirit, Tunc Soyer, tha se rreth 20 ndërtesa janë rrëzuar në provincë. Guvernatori i Izmirit tha se 70 vetë ishin shpëtuar nga rrënojat.

"Për fat të keq, katër nga shtetasit tanë humbën jetën gjatë tërmetit", shkroi më herët në rrjetin social Twitter, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca.

Lëkundja raportohet të ketë shkaktuar një cunami të vogël në portin e Samos.

Ismail Yetiskin, kryetari i Bashkisë së Izmirit Seferihisar, tha se nivelet e detit u rritën si rezultat i tërmetit. "Duket se ka një cunami të vogël", i tha ai transmetuesit NTV.

Banorëve të ishullit grek të Samos, i cili ka një popullsi prej rreth 45.000, iu kërkua të qëndronin larg zonave bregdetare, ka thënë për Skai T, Eftyhmios Lekkas, kreu i organizatës greke për planifikimin anti-sizmik, raporton Reuters ."Ishte një tërmet shumë i fuqishëm", tha Lekkas.

Tërmet i fuqishëm në Turqi
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:52 0:00

Organi për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë tha se tërmeti i së premtes kishte një magnitudë 6.6 të shkallës të Rihterit.

Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare tha se tërmeti kishte magnitudë prej 6.9 shkallësh me një epiqendër 13 kilometra në verilindje të ishullit grek të Samos. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara njoftoi për një fuqi 7.0 shkallë të Rihterit.

Mediat turke shfaqen pamje të rrënojave të një ndërtese shumëkatëshe në Izmirin qendror, dhe njerëz që ngjiteshin në të për të arritur tek ekipet e shpëtimit. Pamjet tregonin edhe për tym në disa pika në Izmirin qendror.

Mediat turke thanë se tërmeti u ndje në të gjithë rajonet e Egjeut dhe Marmaras, ku ndodhet edhe qyteti i Stambollit. Guvernatori i Stambollit tha se nuk ka raporte për dëme.

Izmiri pas tërmetit
Izmiri pas tërmetit

Tërmeti u ndje, gjithashtu, në të gjithë ishujt lindorë grekë, dhe madje edhe në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë. Mediat greke thanë se banorët e Samos dhe ishujve të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre.

Në janar më shumë se 30 njerëz u vranë dhe më shumë se 1,600 u plagosën kur një tërmet goditi provincën lindore Elazig të Turqisë.

Në korrik 2019, kryeqyteti grek, Athina, u godit nga një dridhje që ndali energjinë në pjesë të mëdha të qytetit.

Një tërmet i fuqishëm që goditi qytetin turk Izmit, afër Stambollit, në 1999 vrau rreth 17,000 njerëz.

XS
SM
MD
LG