Ndërlidhjet

Sulm "terrorist" në Vjenë, katër të vrarë dhe mbi 15 të plagosur


Të shtëna me armë zjarri në qendër të Vjenës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:41 0:00

Të shtëna me armë zjarri në qendër të Vjenës

Policia austriake po kërkon për të paktën një të dyshuar pas një sulmi të shumëfishtë me armë në kryeqytetin, Vjenë, që la katër persona të vrarë.

Shtatëmbëdhjetë njerëz të tjerë janë plagosur - disa rëndë - pasi persona të armatosur hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme, në qendër të qytetit të hënën në mbrëmje.

Një sulmues u qëllua për vdekje nga policia, thanë zyrtarët, dhe një u arrestua, transmeton BBC.

Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, e përshkroi sulmuesin e vrarë nga policia si një "terrorist islamik".

Viktimat janë dy gra dhe dy burra. Njëra nga gratë thuhet se ishte kameriere. Gruaja e dytë vdiq nga plagët e saj në spital, thanë raportet.

Viktimat ishin në një zonë të qendrës së qytetit të mbushur me njerëz në bare dhe restorante, afër sinagogës qendrore të Vjenës, por nuk është ende e qartë nëse ajo ishte shënjestra e sulmit.

Shtatë nga të plagosurit kanë plagë të rrezikshme për jetën, raportojnë mediat austriake.

Duke folur në një konferencë për shtyp, ministri Nehammer tha se personi i armatosur rëndë, i vrarë nga policia, ishte një mbështetës i Shtetit Islamik (IS) dhe se shtëpia e tij ishte kontrolluar ku është sekuestruar video-material. Policia tha se ai kishte veshur një rrip shpërthyes të rremë.

Më parë, Nehammer tha se të paktën një sulmues "i armatosur rëndë dhe i rrezikshëm" besohej të ishte akoma i lirë. Zyrtarët u cituan të thoshin se mund të kishin qenë deri në katër sulmues. Ministri i brendshëm i nxiti njerëzit të shmangnin Vjenën qendrore dhe u tha prindërve të mbanin fëmijët e tyre në shtëpi të martën.

Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti atë një "sulm të neveritshëm terrorist".

Çfarë dimë për sulmin?

Policia ka thënë se incidenti ka nisur në sinagogën Seitenstettengasse.

Sipas njoftimit fillestar besohej se ishin “disa të dyshuar të armatosur me pushkë” në “gjashtë lokacione të ndryshme”.

Ajo më pas u bëri thirrje qytetarëve për kujdes.

“Qëndroni në shtëpi! Nëse jeni nëpër rrugë, strehohuni. Qëndroni larg vendeve publike, mos përdorni transportin publik!”.

Menjëherë pas incidentit, ministri Nehammer ka thënë se sulmuesit “janë tejet të armatosur dhe të rrezikshëm”.

“Ne kemi angazhuar forca speciale dhe tani ata janë duke kërkuar për terroristët e supozuar. Prandaj nuk jemi duke u kufizuar në zonën e Vjenës sepse këta janë aktorë mobilë”, ka thënë Nehammer për transmetuesin ORF.

Policia e Vjenës u ka bërë thirrje njerëzve që të mos shpërndajnë video dhe fotografi nëpër rrjetet sociale.

“Kjo gjë rrezikon forcat policore si dhe popullsinë civile”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.

Policia në Republikën Çeke ka thënë se ka nisur të kryejë kontrolle rastësore kufitare në kufi me Austrinë, pas shqetësimeve se sulmuesit mund të jenë nisur në atë drejtim.

Sulmi ka ndodhur disa orë para se Austria të nisë së zbatuari kufizimet e reja në lëvizje, me qëllim të frenimit të koronavirusit.

Për këtë arsye, shume njerëz janë parë në qendër të Vjenës, nëpër bare dhe restorante, të cilat do të mbyllen deri në fund të muajit nëntor.

Reagimet pas sulmit

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka thënë se republika që drejton ai, po kalon nëpër periudhë të vështirë.

“Dua të falënderoj të gjitha shërbimet e emergjencës që rrezikojnë jetën e tyre për sigurinë tonë, sidomos sot. Policia jonë do të marrë masa vendimtare kundër autorëve të këtij sulmi të tmerrshëm terrorist. Ne kurrë nuk do të lejojmë që të trembemi nga terrorizmi"”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Oskar Deutsch, i cili është në krye në komunitetit të hebrenjve në Vjenë, ka thënë se të shtënat kanë ndodhur në rrugën ku gjendet sinagoga kryesore e qytetit, mirëpo ende nuk është e qartë nëse ky institucion ka qenë shënjestër, transmeton agjencia e lajmeve, AP.

Liderët evropianë kanë dënuar ashpër sulmin.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se Evropa nuk duhet të dorëzohet para këtyre sulmeve.

“Populli francez e ndan shokun dhe dhimbjen me popullin austriak, të goditur në këtë natë nga një sulm në zemër të kryeqytetit të tyre, Vjenës. Pas Francës, një mik yni është sulmuar. Kjo është Evropa. Armiqtë tanë duhet ta dinë kë kanë përpara”, ka thënë ai.

Tre persona kanë vdekur si pasojë e një sulmi me thikë në qytetin francez Nicë, javën e kaluar.

Macron e ka cilësuar këtë akt “sulm terrorist islamik”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se është e mërzitur nga sulmi brutal, që ka ndodhur në Vjenë.

“Evropa solidarizohet plotësisht me Austrinë. Ne jemi më të fortë sesa urrejtja dhe terrorizmi”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se mbështet popullin e Vjenës dhe se është i shokuar nga sulmet terroriste.

“Ne qëndrojmë të bashkuar me Austrinë kundër terrorizimit”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Ambasada e Kosovës në Vjenë ka lutur qytetarët që jetojnë atje që të qëndrojnë në vende të sigurta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar ashpër sulmin në Vjenë.

“Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurit, teksa jemi me njerëzit e Austrisë në këto kohë të vështira”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se sulmet në Vjenë janë shokuese.

“Ne qëndrojmë me aleatët tanë austriakë dhe komunitetin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizimit”.

Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, po ashtu ka reaguar për sulmin e së hënës.

Teksa e ka quajtur Vjenën qytet të paqes, ajo ka thënë se Kosova qëndron pranë Austrisë dhe solidarizohet me të gjatë këtij “sulmi shokues”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG