Ndërlidhjet

Macron paralajmëron angazhimin e ushtarëve për mbrojtjen e pikave kyçe franceze


Sulm me thikë në Nicë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:47 0:00

Sulm me thikë në Nicë

Tre persona kanë vdekur në një sulm me thikë në qytetin francez, Nicë, ka thënë policia.

I dyshuari është ndaluar pak pas sulmit. Burimet e policisë e emëruan të dyshuarin si Brahim Aioussaoi, një tunizian 21-vjeçar i cili arriti me anije në ishullin italian të Lampedusas në shtator. Ai u vendos në karantinë për koronavirus atje para se të lirohej dhe iu tha të largohej nga Italia. Ai arriti në Francë më parë këtë muaj.

Kryetari i Nicës, Christian Estrosi ka thënë se gjithçka çon drejt “sulmit terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”.

“Më duhet ta them se Nica – ashtu sikurse e gjithë Franca, por ndoshta më shumë sesa vendet tjera në Francë – sot po paguan një çmim tepër të lartë, duke u bërë edhe një herë viktimë e ‘islamo-fashizmit’”, ka thënë ai para gazetarëve.

Estrosi ka thënë edhe se i dyshuari i sulmit, ka bërtitur "Allahu Akbar" (Zoti është më i madhi) edhe pasi është arrestuar nga policia, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë pas sulmit se do të angazhojë ushtarë për t’i mbrojtur pikat kyçe në Francë, siç janë hapësirat për lutje dhe shkollat.

Macron është zotuar se Franca nuk do të heqë dorë nga "vlerat" dhe gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të të gjitha feve të mos "dorëzohen në frymën e përçarjes".

Forca të sigurisë në Nicë.
Forca të sigurisë në Nicë.

Prokurorët francezë kundër-terrorizmit kanë nisur hetimet për vrasje.

Estrosi ka thënë se një nga të vdekurit ka qenë kujdestar në bazilikë.

Kryeministri francez, Jean Castex ka njoftuar se Franca ka rritur alarmin e sigurisë për territorin francez në nivelin më të lartë.

Çfarë dihet për sulmin?

Dy nga personat e vdekur është thënë të jenë sulmuar brenda kishës, një grua në moshë dhe një burrë, i cili është gjetur me fyt të prerë.

Gruaja që ka arritur të ikë në një kafe të afërt është therrur disa herë dhe ka vdekur më vonë.

Më vonë është kuptuar që një dëshmitar ka arritur ta aktivizojë alarmin përmes një sistemi special për mbrojtje, të krijuar nga qyteti.

Reagimet pas sulmit

Ministri i brendshëm francez, Gérald Darmanin, u ka bërë apel njerëzve që të shmangin qendrën e këtij qyteti.

Ai ka thënë se do të organizojë një takim për kriza brenda ministrisë së tij në Paris.

Një minutë heshtjeje është mbajtur në Asamblenë Kombëtare, ku kryeministri, Jean Castex ka dhënë detaje për masat e reja të izolimit, që hyjnë në fuqi të enjten në mbrëmje.

“Pa diskutim, kjo është një sfidë serioze që po godet shtetin tonë”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për unitet dhe kohezion.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë pas sulmit se Britania qëndron e palëkundur përkrah Francës, kundër terrorizmit dhe jotolerancës.

“Jam shokuar këtë mëngjes nga lajmi për këtë sulm barbar në bazilikën Notre-Dame”, ka thënë Johnson përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka thënë përmes një deklarate ndaras se Britania ka ofruar “gjithë mbështetjen për popullin francez, për të mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer sulmin”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar të enjten sulmin, duke e quajtur “të neveritshëm dhe brutal”.

Ajo ka thënë se gjithë Evropa solidarizohet me Francën dhe vazhdon të jetë e bashkuar dhe e vendosur “përpara barbarizmit”.

Pamje nga Nica.
Pamje nga Nica.

Vatikani ka dënuar sulmin e së enjtes, duke thënë se terrorizmi dhe dhuna nuk kanë qenë kurrë të pranueshme.

“Sulmi i sotëm ka shkaktuar vdekje në vendin e dashurisë dhe ngushëllimit, në shtëpinë e Zotit”, ka thënë zëdhënësi, Matteo Bruni në një deklaratë.

“Është moment i dhimbjes në kohën e paqartësisë. Terrorizmi dhe dhuna nuk mund të pranohen kurrë.

Ai ka thënë se Papa Françesku është informuar për këtë sulm dhe është duke u lutur për viktimat.

Ministria e Jashtme turke ka thënë të enjten se dënon ashpër sulmin me thikë.

Përmes një deklarate, kjo ministri ka thënë se Turqia solidarizohet me popullin francez kundër dhunës dhe terrorizmit.

Ndërkohë nga Moska, Kremlini ka thënë se është e papranueshme vrasja e njerëzve, mirëpo po ashtu është gabim që të fyhen ndjenjat e besimtarëve fetarë.

Kremlini ka qenë duke komentuar raportimet që kanë treguar se sulmuesi ka bërtitur në gjuhën arabe, "Zoti është më i madhi".

Cili është konteksti?

Nica ka qenë shënjestër e një prej sulmeve më të përgjakshme në vjetët e fundit, meqë më 14 korrik, 2016, një 31-vjeçar nga Tunizia, pati hyrë në një turmë me kamion, duke lënë të vdekur 86 persona.

Ky sulm vjen teksa Franca ende po rimëkëmbet nga shoku që ka përjetuar për shkak të një sulmi tjetër, që ka ndodhur më herët gjatë këtij muaji atje.

“13 ditë pas #SamuelPaty, shteti ynë nuk mund të vetëkënaqet më me ligjet e paqes për të shkatërruar islamo-fashizmin”, ka thënë kryetari i Nicës, Christian Estrosi.

Ai i është referuar sulmit ndaj mësuesit Samuel Paty, të cilit i është prerë koka në Paris nga një sulmues me origjinë çeçene.

Sulmuesi i Payt ka thënë se ka dëshiruar që ta ndëshkojë mësuesin pse u ka treguar nxënësve karikaturat e Profetit Muhamed në një orë mësimore.

Karikaturat - të publikuara vite më parë nga revista satirike franceze, Charlie Hebdo, zyrat editoriale të së cilës janë sulmuar më 2015 nga sulmues që kanë lënë të vdekur 12 persona - shihen si blasfemi nga disa myslimanë.

Prej prerjes së kokës së Patyt, karikaturat janë shfaqur në disa pjesë të Francës, në shenjë solidariteti, derisa Macron, i cili është takuar me komunitetin mysliman në Francë, është zotuar se do ta luftojë “separatizmin islamist”.

Vrasja e mësuesit ka ngritur tensione në Francë, ndërkohë që tentimet e qeverisë së këtij shteti për të shtypur Islamin radikal, kanë zemëruar Turqinë dhe disa shtete tjera.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka bërë thirrje për bojkot të mallrave franceze.

Situata është përkeqësuar pasi një karikaturë e presidentit turk është paraqitur në revistën satitike Charlie Hebdo të mërkurën.

“Agjenda anti-Islame e presidentit francez (Emmanuel) Macron është duke dhënë frytet e veta”, ka thënë të mërkurën Fahrettin Altun, Drejtori për Komunikime i Erdoganit, duke i përshkruar karikaturat si “të neveritshme”.

Në ballinën e së mërkurës, Charlie Hebdo ka vënë karikaturën e Erdoganit, të ulur në një karrige duke ngritur lart fustanin e një gruaje me titullin, “Erdogan – ai është shumë argëtues privatisht”.

“Qartazi është produkt i ksenofobisë, islamofobisë dhe ambientit kulturor jotolerant, të cilin udhëheqësia franceze duket se e do për vendin e vet”, ka thënë Altun.

Mirëpo, zëdhënësi i qeverisë franceze, Gabriel Attal, ka thënë po atë ditë se Franca do të vazhdojë luftën e saj kundër ekstremizmit islamik, pavarësisht kritikave nga presidenti Erdogan, dhe nuk do të dorëzohet në "përpjekjet e destabilizimit dhe kërcënimit".

Franca "kurrë nuk do të heqë dorë nga parimet dhe vlerat e saj", tha Attal pas një takimi të kabinetit qeveritar, duke theksuar "një unitet të fortë Evropian" kundër dhunës islamike, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG