Ndërlidhjet

Trump për rezultatin zgjedhor: Është politikë, nuk i dihet


Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Votuesit amerikanë u janë drejtuar kutive të votimit më 3 nëntor, për të vendosur nëse do t'ia japin edhe një tjetër mundësi presidentit amerikan, Donald Trump, apo do ta dërgojnë sfiduesin e tij, demokratin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Deri para ditës së zgjedhjeve, mbi 100 milionë votues kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre, duke votuar përmes postës apo fizikisht, sipas të dhënave të Universitetit të Floridas.

Disa ekspertë kanë thënë se shkalla e votimit në këto zgjedhje mund të jetë më e madhja nga viti 1908.

Votimin e hershëm, amerikanët është thënë ta kenë shfrytëzuar për t’iu shmangur rradhëve të gjata, teksa vazhdon të përhapet koronavirusi i ri.

Trump ka thënë në një intervistë për Fox News më 3 nëntor se fushata e tij ka përjetuar “ndryshime të mëdha në javët e fundit”, që përbëjnë lajme të mira për rizgjedhjen e tij.

Kur është pyetur për shpalljen e fitores, Trump ka thënë me ton të matur se ai synon fitoren “vetëm kur është fitore. Nuk ka nevojë për lojëra”.

Gjatë një vizite në zyrat e Komitetit Kombëtar të Republikanëve në Arlingon, Virxhinia, ai ka pranuar se mund të humbë, duke thënë:

“Mendoj se do ta kemi një natë fantastike, mirëpo është politikë dhe janë zgjedhje, nuk i dihet kurrë”.

Sondazhet e opinionit publik e nxjerrin Bidenin përpara Trumpit në nivel kombëtar me së paku 8 për qind, por ai ka një avantazh më të ngushtë në disa shtete, që potencialisht i japin Trumpit votat e nevojshme për të fituar Kolegjin Zgjedhor, i cili e përcakton fituesin.

XS
SM
MD
LG