Ndërlidhjet

Amerikanët votojnë për të zgjedhur Trumpin apo Bidenin për president


Qytetarët në Dallas të Teksasit presin në rradhë për të votuar në zgjedhjet presidenciale.
Qytetarët në Dallas të Teksasit presin në rradhë për të votuar në zgjedhjet presidenciale.

Votuesit amerikanë janë duke votuar, në një prej proceseve zgjedhore më të rëndësishme në dekada, meqë në garë janë dy kandidatë krejtësisht të kundërt, presidenti aktual, Donald Trump dhe kandidat demokrat, Joe Biden.

Për më shumë zgjedhjet po zhvillohen në kohën e pandemisë së koronavirusit, e cila ka ndikuar secilin hap të fushatës.

Kontrolli i Senatit po ashtu është në garë, ashtu sikurse ulëset në Dhomën e Përfaqësuesve.

Një mori ndryshimesh tjera ligjore do të hidhen në votim.

Votimet kanë nisur në pothuajse të gjitha shtetet e Bregut Lindor të SHBA-së, shumica e të cilave kanë hapur qendrat e votimit në orën 7:00 (13:00 me kohën evropiane).

Ky proces do të vazhdojë në tërë vendin që ka zona të ndryshme kohore, duke u dhënë qytetarëve më të drejtë vote rastin për të votuar, nëse nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë në votimin e hershëm.

Në këto zgjedhje të pazakonshme për shkak të pandemisë së koronavirusit, një numër rekord prej rreth 100 milionë amerikanëve tashmë kanë votuar përmes postës apo qendrave të votimit që janë hapur më parë, opsion ky i ofruar nga shumë shtete federale për të parandaluar shpërndarjen e virusit vdekjeprurës.

Numri i lartë i votuesve dhe thirrjet për dalje masive në votime, janë indikatorë se zgjedhjet e 2020-tës mund të shënojnë pjesëmarrje shumë më të madhe sesa 55% i vitit 2016.

Michael McDonald, profesor në Universitetin e Floridës, që e drejton projektin për zgjedhjet në SHBA, i tha Radios Evropa e Lirë se parashikimi për pjesëmarrje në këto zgjedhje është rreth 160 milionë, apo 67% e trupit elektoral, që është shkalla më e lartë që nga viti 1950.

Ashtu edhe si vëzhguesit e tjerë, McDonald, thotë se do të mund të marrë kohë derisa të dihen rezultatet, ndryshe prej herave tjera presidenciale kur njëri nga kandidatët shpall fitoren pasi arrin 270 votat elektorale, gjë e cila zakonisht bëhet e ditur në natën e zgjedhjeve.

Kjo për shkak se do të marrë kohë numërimi i votave me postë, dhe disa shtete duke përfshirë këtu edhe Pensilvaninë me 20 vota elektorale, nuk mund të nisin numërimin e këtyre votave deri në ditën e zgjedhjeve.

Zgjedhje të pazakonshme

Zgjedhjet e vitit 2020 janë parë në shumë mënyra: të jashtëzakonshme, të pashembullta, të çuditshme.

Të gjitha mund të jenë të vërteta në një mënyrë, ndonëse ato vazhdojnë të mbahen të martën e parë, pas të hënës së parë të nëntorit, dhe një demokrat apo republikan do t’i fitojë ato.

Por, dallimet nisin duke përmendur faktin se kjo është hera e parë që një grua me ngjyrë është nominuar nga një parti e madhe për pozitën e nën-presidentes.

Kjo është po ashtu hera e parë që të nominuarit për president janë në të 70-at e tyre.

Profil: Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Profil: Kandidati për president të SHBA-së, Joe Biden

Këto zgjedhje presidenciale madje janë të parat që po zhvillohen teksa pandemia vdekjeprurëse e koronavirusit ka prekur secilën pjesë të Shteteve të Bashkuara.

Zgjedhjet e vitit 1918 për Kongres, të mbajtura gjatë kohës së pandemisë së Gripit Spanjoll, kanë rezultuar me ulje të shkallës së votimit për 20 për qind – ndonëse edhe fakti që më shumë se 2 milionë burra kanë luftuar në Luftën e Parë Botërore po ashtu ka pasur ndikim.

Deri në kohën kur republikani, Warren G. Harding ka fituar zgjedhjet e vitit 1920, pandemia ka kaluar.

Këtë vit, pandemia ka nxitur shkallë të paparë të votimeve të hershme, qofshin përmes postës, apo në ndonjë mënyrë tjetër, si dhe ka rritur pritshmëritë që ditë apo javë mund të kalojnë, para se të dihen rezultatet.

Meqë tek amerikanët tashmë është bërë zakon publikimi i rezultateve në natën e zgjedhjeve, një shtyrje eventuale do të ishte e pashembullt.

Kryebashkiaku i Filadelfias, Jim Kenney ka paralajmëruar se ky proces mund të zgjasë disa ditë dhe ka bërë thirrje për durim, përderisa bizneset dhe dyqanet në shumë shtete, i kanë fortifikuar xhamat e objekteve, në rast të shpërthimit të dhunës për shkak të vonesës së rezultateve.

“Asnjëherë në histori në këtë qytet, nuk ka pasur më shumë njerëz sesa këtë herë që kanë votuar me postë’ tha Kenney, në një letër të hapur me 2 nëntor.

Në Uashington, punëtorët janë parë teksa instalojnë pengesa të pakapërcyeshme përreth perimetrit të Shtëpisë së Bardhë në përgatitje për protesta në ditën e zgjedhjeve.

Një arsye tjetër për durim është se llogaritja e pakompletuar e rezultatit të zgjedhjeve, në shtetet ku gara është më e fortë, siç është Pensilvania, mund të japë rezultat jo të saktë.

Shtetet që numërojnë votat me postë para ditës së zgjedhjeve pritet t’i japin Joe Bidenit epërsi, pasi që opinionet e marra nga sondazhet tregojnë se demokratët kanë votuar në numër më të madh sesa republikanët.

Ndërkohë, shtetet si Pensilvania, që nuk fillojnë numërimin e votave me postë deri me 3 nëntor, fillimisht pritet të t’i japin epërsi presidentit aktual Donald Trump.

Analistët presin që dallimet në të ashtuquajturat të kuqet (republikanët) apo të kaltërtat (demokratët) do të zhduken pas numërimit të të gjitha votave.

Por, McDonald thotë se ai do ta konsiderojë rezultatin e Floridës, me 29 vota elektorale, si një model shumë të mirë se si do të jetë rezultati i përgjithshëm zgjedhor.

Florida do të jetë ‘kanarina në minierën e qymyrit’ tha Marc Thiessen, nga Instituti Amerikan i Ndërmarrësisë, duke parashikuar se modeli i Floridës do të përcaktojë edhe rezultatin e Pensilvanisë. Numërimi i votave me postë ka nisur tashmë në Floridë dhe pritet të përfundojë shpejt, tha ai.

"Nëse Donald Trump e humb Floridën, atëherë më gjasë ai do të humbasë zgjedhjet", tha Thiessen. "Nëse Trump fiton me 3 pikë, me një margjinë të konsiderueshme, atëherë ai me gjasë do të fitojë Penslivaninë, Uiskonsinin dhe Miҫiganin.

Në anën tjetër, nëse rezultati në Floridë është shumë më i ngushtë, ‘ne do të kemi procese gjyqësore për muaj të tërë’ tha Thiesses, duke folur gjatë vikendit në Fox News.

Ky koment iu referua skenarëve potencialë në të cilat vendimet e gjykatave dhe ndoshta edhe Gjykatës Supreme, në të cilën 3 gjykatës janë emëruar nga Trump, mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Trump ka thënë në një intervistë për Fox News më 3 nëntor se fushata e tij ka përjetuar “ndryshime të mëdha në javët e fundit”, që përbëjnë lajme të mira për rizgjedhjen e tij.

Kur është pyetur për shpalljen e fitores, Trump ka thënë me ton të matur se ai synon fitoren “vetëm kur është fitore. Nuk ka nevojë për lojëra”.

Gjatë një vizite në zyrat e Komitetit Kombëtar të Republikanëve në Arlingon, Virxhinia, ai ka pranuar se mund të humbë, duke thënë:

“Mendoj se do ta kemi një natë fantastike, mirëpo është politikë dhe janë zgjedhje, nuk i dihet kurrë”.

Sondazhet e opinionit publik e nxjerrin Bidenin përpara Trumpit në nivel kombëtar me së paku 8 për qind, por ai ka një avantazh më të ngushtë në disa shtete, që potencialisht i japin Trumpit votat e nevojshme për të fituar Kolegjin Zgjedhor, i cili e përcakton fituesin.

Pse ekziston Kolegji Elektoral?

Të 538 anëtarët e Kolegjit Elektoral në Shtetet e Bashkuara mblidhen në kryeqytetet e tyre respektive çdo katër vjet, pas mbajtjes së zgjedhjeve, ashtu që të shpallin fituesin.

Një kandidat presidencial duhet të fitojë një shumicë absolute të votës së Kolegjit – apo 270 vota nga 538 – për të fituar.

Ky sistem është krijuar bashkë me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara më 1787.

Krijuesit e shtetit amerikan e kanë konsideruar këtë sistem si kompromis në mes të të zgjedhurit të presidentit në mënyrë direkte dhe të zgjedhurit përmes anëtarëve të Kongresit – qasje që janë refuzuar dhe janë konsideruar jomjaftueshëm demokratike.

Që atëherë, qindra amendamente janë propozuar në Kongres, me qëllim të ndryshimit apo zhbërjes së Kolegjit Elektoral, mirëpo asnjëra nuk ka rezultuar me sukses.

Kush janë 538 personat që votojnë?

Shumica e këtyre personave janë zyrtarë të zgjedhur në rrafshin lokal, ose liderë partish, mirëpo emrat e tyre nuk shfaqen në fletëvotime, dhe identitetet e tyre kryesisht janë të panjohura për votuesit.

Secili shtet ka aq përfaqësues sa ka në Dhomën e Përfaqësuese dhe Senat, dy dhomat e Kongresit amerikan.

Kongresi amerikan.
Kongresi amerikan.

Numri i përfaqësuesve varet nga popullsia e një shteti.

Kalifornia, shembull, ka 55 përfaqësues, Teksasi 38, derisa Alaska, Delauere, Vermont dhe Uajoming kanë nga tre secila prej tyre.

Kushtetuta e lë në dorën e shteteve që të zgjedhin sesi do të votojnë përfaqësuesit.

Në secilin shtet, përveç Nebraskas dhe Maines, kandidati që fiton shumicën e votës popullore, në teori, fiton të gjitha votat e përfaqësuesve të një shteti.

Trup kontrovers

Në nëntor të vitit 2016, Trump ka fituar 306 vota elektorale. Të indinjuar, miliona amerikanë patën nënshkruar një peticion, duke u bërë thirrje përfaqësuesve republikanë që ta bllokojnë zgjedhjen e tij.

Mirëpo këto përpjekje kanë dështuar, meqë dy përfaqësues në Teksas, i kanë dhënë atij votat përfundimtare, apo 304 në total.

Republikanët e kanë parë këtë përpjekje si të dëshpëruar nga aktivistët që refuzojnë të pranojnë humbjen.

Situata e jashtëzakonshme e vitit 2016, që nënkupton se humbja e votës popullore nuk do të thotë humbje në garë, nuk ka qenë e pashembullt.

Pesë president janë ngritur në detyrë në këtë mënyrë.

John Quincy Adams ka qenë i pari më 1824 kundër Andrew Jackson.

Së fundmi, në zgjedhjet e vitit 2000, rezultati zgjedhor është bllokuar në Florida në mes të George W. Bushit dhe demokratit Al Gore.

Gore ka fituar gati 500,000 vota më shumë në nivel kombëtar, mirëpo Floridën e ka fituar Bush, që ka rezultuar me fitoren e këtij të fundit me 271 vota.

Votë e vërtetë apo formalitet i thjeshtë?

Asgjë në Kushtetutë nuk i obligon përfaqësuesit të votojnë në një mënyrë apo tjetrën.

Nëse një shtet u kërkon atyre të respektojnë votën popullore, dhe ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, të ashtuquajturit “përfaqësues të pabesë”, bëhen subjekte të një gjobe të thjeshtë.

Mirëpo në korrik të vitit 2020, Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara ka vendosur që shtetet të vendosin ndëshkime ndaj votuesve jobesnikë, duke krijuar ligje që detyrojnë përfaqësuesit e një shteti që të votojnë sipas rezultatit të votës popullore.

Në periudhën 1796-2016, rreth 180 përfaqësues zgjedhorë kanë votuar në kundërshtim me presidentin apo nën-presidentin që ka fituar në shtetin e tyre.

Mirëpo përfaqësuesit e pabesë nuk kanë qenë vendimtarë për rezultatin përfundimtar.

Struktura e Kolegjit Elektoral

Përfaqësuesit do të mblidhen në shtetet e tyre më 14 dhjetor dhe do të votojnë për presidentin dhe nënpresidentin.

Pse kjo datë?

Ligji amerikan thotë se ata “takohen dhe votojnë në të hënën e parë, pas të mërkurës së dytë të dhjetorit”.

Më 6 janar të vitit 2021, Kongresi do të certifikojë fituesin, i cili bën betimin më 20 janar.

Koronavirusi, në zemër të procesit zgjedhor

Shumë amerikanë do ta mirëpresin përfundimin e fushatës, e cila pos pandemisë, ka dominuar lajmet për muaj të tërë, por ata janë gjithashtu të vetëdijshëm se nuk do të përfundojë pandemia e koroavirusit dhe plagët që ka lënë.

Papunësia në SHBA qëndron në 8% dhe të paktën 10 milionë vende pune mbesin të mbyllura për shkak të pandemisë.

Koronavirusi ka infektuar më shumë se 9 milionë amerikanë dhe ka marrë jetën e më shumë se 230 mijë prej tyre, që janë shifrat më të larta në botë. Aktualisht, vendi po përballet me rreth 80 mijë infektime në ditë.

Kjo rritje e madhe e të infektuarve ka mobilizuar shumë votues, të cilët thonë se Trump nuk i është përgjigjur si duhet kësaj pandemie.

Por, presidenti 74-vjeçar, i cili u infektua edhe vetë në fillim të tetorit dhe kaloi 3 ditë në spital, i dha nota të larta administratës së tij, duke thënë se shumë njerëz të tjerë do të kishin vdekur po të mos ishin ndërmarrë veprimet nga ana e tij.

Ai iu tha votuesve se vendi ‘po e mbyll rrethin’ dhe se një vaksinë efektive është në horizont. Duke përmendur ekonominë, para pandemisë, Trump iu tha votuesve se vendi nuk mund të izolohet sërish, dhe se zhvillimi ekonomik është arma e tij më e fortë.

Ai vendosi të mbajë tubime në natyrë përpara dhjetëra mijëra mbështetësve, madje edhe në shtetet ku virusi po përhapej, për të nxitur bazën e tij të konservatorëve tradicionalë, dhe votuesve ruralë, ungjillorëve dhe amerikanëve të pasur të cilët ishin çelësi i befasisë së tij në fitoren e vitit 2016.

Sondazhet e para zgjedhjeve treguan se shumë prej atyre votuesve ende e mbështesin atë, por ishte më pak e sigurt nëse shumë nga ta do të dalin të votojnë sërish, veçmas ata që janë të zhgënjyer nga stili i tij udhëheqës .

Shumë votues do të votojnë për Biden, 77- vjeçar, i cili u perceptua të jetë më i qëndrueshëm dhe që u zotua të vendoste një qasje më kohezive ndaj pandemisë dhe të adresonte pabarazitë në kujdesin shëndetësor.

Shumë njerëz i marrin me kujdes sondazhet pasi parashikimet e tyre për fitoren e Hillary Clinton në 2016 dolën të gabuara. Por këtë vit, shumica e sondazheve tregojnë se Biden ka një avantazh dhe se Trump është në përpjekje për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë.

Uebfaqja për përpunimin e të dhënave zgjedhore Real Clear Politics ka projektuar se Biden dhe kandidatja për nënpresidente, senatorja Kamala Harris (Demokrate nga Klaifornia) janë në rrugën e duhur për të fituar 216 vota elektorale nga shtetet ku epërsia e tyre në sondazhe ishte solide ose e mundshme.

Nga ana tjetër, Trump dhe nënpresidenti Mike Pence, parashikohet të fitojnë 125 vota elektorale në shtetet ku kryesimi i tyre ishte solid ose i mundshëm.

Megjithatë,197 votat e mbetura elektorale janë ende të paqarta, por një sinjal ogurzi për Trump është se një numër i tyre, përfshirë Teksasin dhe Arizonën mund ta befasojnë atë, e që ishin shtetet që presidenti i mori me lehtësi katër vjet më parë.

Pos garës për në Shtëpinë e Bardhë, e gjitha Dhoma e Përfaqësuesve dhe 58 ulëse në senatin me 100 anëtarë (35 ulëse që mbahen nga republikanët dhe 23 nga demokratët) do të jenë në garë më 3 nëntor. Po ashtu, amerikanët do të votojnë edhe për qindra gara në nivel të shteteve federale dhe lokale.

Republikanët kontrollojnë Senatin me një shumicë 53-47, por kjo mund të jetë në rrezik pasi disa senatorë republikanë janë në gara shumë të ngushta. Kjo do të thotë se demokratëve do t'u duhet të marrin katër vende për të fituar kontrollin e shumicës, megjithëse një fitore prej tre vendeve do të ishte e mjaftuesheme nëse Biden zgjidhet president pasi që nënpresidenti është vota vendimtare nëse Senati bllokohet në ndonjë vendim.

Demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me 435 vende dhe pritet të mbajnë pozicionin e tyre të shumicës.

Përgatitën: Krenare Cubolli, Shkumbin Ahmetxhekaj
XS
SM
MD
LG