Ndërlidhjet

Konfirmimi i aktakuzës dhe çka pastaj?


Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë.

Hashim Thaçi më 5 nëntor njoftoi se Dhomat e Specializuara në Hagë, i kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai tha se për shkak se nuk dëshiron të shkojë para Dhomave të Specializuara si president i Kosovës, ai jep dorëheqje nga kjo pozitë.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake e konfirmon aktakuzën vetëm nëse është i bindur se prokurori i Specializuar e ka përcaktuar ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë.

Ligji, po ashtu, parasheh se me kërkesë të prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të lëshojë urdhërarrestim apo fletarrestim dhe të urdhërojë transferimin e personave në Dhomat e Specializuara, si dhe çfarëdo urdhri tjetër që mund të kërkohet për zhvillimin e hetimeve dhe për përgatitjen e shqyrtimit gjyqësor të drejtë dhe të shpejtë.

Në zbatim të urdhërarrestit, personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuza merret në ndalim, informohet menjëherë për akuzat kundër tij dhe transferohet në Dhomat e Specializuara.

Pastaj, gjatë shqyrtimit fillestar, gjyqtari i procedurës paraprake e lexon aktakuzën, bindet se të drejtat e të akuzuarit janë respektuar, konfirmon se i akuzuari e kupton aktakuzën dhe e udhëzon të akuzuarin që të deklarohet. Pas shqyrtimit fillestar dhe sapo të jetë zgjidhur çdo parashtresë paraprake, kryetari i Dhomave, e formon trupin gjykues që do të jetë përgjegjës për zhvillimin e procedurës së shqyrtimit gjyqësor.

Ligji, gjithashtu, parasheh se personi i privuar nga liria nga Dhomat e Specializuara ose në emër të tyre, sillet para gjyqtarit të Dhomave të Specializuara pa vonesë dhe ka të drejtën për shqyrtim gjyqësor brenda një kohe të arsyeshme ose për t’u liruar në pritje të shqyrtimit gjyqësor.

Rregullorja e procedurës dhe e provave para Dhomave të Specializuara parasheh pas konfirmimit të aktakuzës, që ajo pa vonesë të papërligjur i dorëzohet personalisht të akuzuarit, dhe paraqitja e parë bëhet brenda shtatë ditësh pasi të akuzuarit i është dorëzuar aktakuza.

Thaçi: Jap dorëheqje nga pozita e presidentit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:17 0:00

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit prej gjykatësit të procedurës paraprake. Nëse para konfirmimit të aktakuzës, prokurori i Specializuar paraqet arsye të vlefshme, për shkaqe sigurie, për parandalimin e arratisjes së të akuzuarit etj., gjykatësi i procedurës paraprake, ndër të tjera, mund të urdhërojë përkohësisht mosnxjerrjen publike të aktakuzës. Aktakuza bëhet publike, nëse është e nevojshme me redaktime, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit.

Sipas Rregullores, në paraqitjen e parë të të akuzuarit, ai informohet se brenda tridhjetë ditësh do t’i kërkohet të deklarojë nëse është fajtor, ose i pafajshëm për çdo akuzë.

Pas konfirmimit të aktakuzës dhe paraqitjes së parë të të akuzuarit, gjykatësi i procedurës paraprake bashkërendon komunikimin ndërmjet palëve deri në momentin kur çështja i kalohet trupit gjykues dhe siguron që të mos ketë vonesa dhe merr të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar në vitin 2015 pas ndryshimeve kushtetuese, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG