Ndërlidhjet

Pas dorëheqjes së Thaçit, Osmani ushtruese e detyrës së presidentit


Vjosa Osmani gjatë marrjes së detyrës së ushtrueses së detyrës së presidentit. Prishtinë, 5 nëntor, 2020.
Vjosa Osmani gjatë marrjes së detyrës së ushtrueses së detyrës së presidentit. Prishtinë, 5 nëntor, 2020.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi edhe zyrtarisht postin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës pasi që Hashim Thaçi, të enjten, më 5 nëntor dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës. Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Gjatë adresimit të parë, pas marrjes së detyrës, Osmani tha se vlerëson të gjithë personat që i janë përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara.

“Ne jemi të vetëdijshëm se veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar. Proceset që vijnë pas, nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtrisë sonë çlirimtare”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova po kalon nëpër kohë të vështira, andaj sipas saj, kjo kohë “kërkon lidership të fuqishëm dhe përgjigje të unifikuar shtetërore”.

Dorëheqja e Thaçit erdhi pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Më herët gjatë të enjtes, kreu i PDK-së, Kadri Veseli njoftoi se Dhomat e Specializuara i kanë konfirmuar aktakuzën.

Thaçi: Jap dorëheqje nga pozita e presidentit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:17 0:00

Në një konferencë për media në Prishtinë, Thaçi tha se është njoftuar zyrtarisht për konfirmimin e aktakuzës. Ai tha se jep dorëheqje nga posti i presidentit, pasi që nuk do që të përballet me drejtësinë, duke qenë në krye të shtetit të Kosovës.

“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës , popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, aktakuza ndja tij dhe eksponentëve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, "është çmim i vogël, i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë".

Në fund të adresimit të tij, ai tha se beson që nga ky proces i përballjes me drejtësinë "do të dalim faqebardhë".

Për çka dyshohet Thaçi?

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 24 qershor ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Ndryshe, Prokurori i Specializuar e ka gjykuar të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, “për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Qendra e paraburgimit në Hagë.
Qendra e paraburgimit në Hagë.

Në korrik, Thaçi është marrë në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku ka folur, siç ka deklaruar, për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale.

“Pikërisht, përpjekjet për të rishkruar historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë, janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por, e vërteta jonë e dhimbshme dhe krenare, është e pastër si loti, ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshojë askush. Ajo është e drejtë, është e pastër dhe jemi krenarë”, u shpreh ai më 16 korrik pas daljes nga prokuroria në Hagë.

Thaçi më 29 qershor pati deklaruar se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita e presidentit.

Thaçi: Gabime politike edhe mund të kem bërë, por krime të luftës kurrë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:57 0:00

Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është kopje e sistemit gjyqësor të Kosovës në miniaturë, në Hagë. Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

Gjykata është formuar me vendimin e Kuvendit të Kosovës, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo kryesisht financohet nga Bashkimi Evropian. Kryeprokurori i Specializuar, amerikani Jack Smith, më 14 shkurt, ka dorëzuar aktakuzat e para në gjykatë.

"Nuk kemi më shumë heronj për të sakrifikuar", ishte një prej pankartave që disa qytetetarë mbajtën në protestën para Dhomave të Specializuara në Hagë në kohën kur Thaçi merrej në pyetje.
"Nuk kemi më shumë heronj për të sakrifikuar", ishte një prej pankartave që disa qytetetarë mbajtën në protestën para Dhomave të Specializuara në Hagë në kohën kur Thaçi merrej në pyetje.

Aktakuza e parë e komfirmuar nga Dhomat e Specializuara për krime luftë është ndaj Salih Mustafës, ish-eprorit të lartë të UÇK-së.

Më 24 shtator, Dhomat e Specializuara bën publike aktakuzën ndaj Mustafës, i cili u arrestua dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.

Më 4 nëntor, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në Hagë pas konfimimit të aktakuzës për krime lufte.

Po ashtu, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së njoftoi se i është konfirmuar atakuza dhe se më 5 nëntor është nisur drejt Hagës.

Rrugëtimi i Thaçit deri në presidencë

Ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur atëbotë edhe me nofkën “Gjarpri”, Hashim Thaçi ishte deri më tani President i Republikës së Kosovës, i zgjedhur më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës.

Karriera politike e Hashim Thaçit fillon me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Thaçi me uniformë ushtarake duke inspektuar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Prishtinë, 13 dhjetor, 2018.
Thaçi me uniformë ushtarake duke inspektuar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Prishtinë, 13 dhjetor, 2018.

Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, ndërsa Universiteti i Prishtinës filloi të vepronte jashtë sistemit institucional.

Nga viti 1997, Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë cilësi, ai kryesoi delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.

Pas luftës në Kosovë, ai formoi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), parti kjo e cila rreth vetes mbledh numrin më të madh të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

PDK-ja zgjedhjet e para të përgjithshme i fitoi më 17 nëntor të vitit 2007, pas të cilave zgjedhje, ai u zgjodh kryeministër i Kosovës.

Zemërim në Burojë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:57 0:00

Në vitin 2008, më 17 shkurt, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, ishte Hashim Thaçi ai që e lexoi Deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, gjatë mandatit të parë si kryeministër, por edhe të dytit si kryeministër, Thaçi është përballur me kritika për dështimet në luftën kundër korrupsionit, shkallën e lartë të varfërisë dhe papunësisë, por edhe për përpjekjet e qeverisë për të vënë kontroll mbi mediat vendore në Kosovë.

Thaçi u vu në qendër të mediave botërore në dhjetor të vitit 2010, në një raport të Këshillit të Evropës, mbi krimin e organizuar, e në të cilin thuhej se “kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptar të tipit mafia, përgjegjës për kontrabandimin e armëve, drogës dhe organeve njerëzore”.

Qeveria në Kosovë pati hedhur poshtë vendosmërisht akuzat dhe pati ofruar bashkëpunim të plotë me hetuesit.

Hashim Thaçi është i lindur më 24 prill 1968 në fshatin Burojë të Skenderajt.

XS
SM
MD
LG