Ndërlidhjet

Pas dorëheqjes së Thaçit, thirrje për unitet dhe ndërprerje të dialogut me Serbinë


Presidenti Hashim Thaçi gjatë konferencës ku njoftoi për dorëheqjen e tij.
Presidenti Hashim Thaçi gjatë konferencës ku njoftoi për dorëheqjen e tij.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se Kosova po kalon një situatë të vështirë institucionale, e cila, sipas kësaj partie –që është subjekti më i madh politik në koalicionin aktual qeverisës –kërkon edhe unifikim e vendime të përgjegjshme politike dhe institucionale.

Ky reagim i LDK-së vjen pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuar në Hagë për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe më pas dorëheqjes së tij. Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën edhe kundër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Thaçi e Veseli akuzohen për një sërë krimesh të pretenduara kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti kjo pjesë e Qeverisë së Kosovës, pas një takimi të Kryesisë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mblidhet për të diskutuar për gjendjen e krijuar.

AAK-ja ka kërkuar që Qeveria të ndërpresë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit, siç thotë, “kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese”.

Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se po i përcjell zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë. Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë.

Për zhvillimet e fundit në lidhje me Dhomat e Specializuara në Hagë ka reaguar edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo ka thënë se me vëmendje është duke ndjekur zhvillimet e fundit.

“Është e rëndësishme të rikujtojmë se: Askush nuk mund ta përdhosë luftën e Kosovës për liri e pavarësi! Jahjaga në reagimin e saj thotë se “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe çlirim nga okupimi i Serbisë, ushtria e së cilës, atëkohë, po kryente vrasje masive, spastrim etnik, dhunime, e tortura ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

"Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës. Sot, të gjithë ne, si popull, por edhe si liderë politikë, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se presidenti Thaçi dhe kryetari Veseli, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të Qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë.

Thaçi: Jap dorëheqje nga pozita e presidentit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:17 0:00

Lidhur me zhvillimet dhe arrestimet e fundit ka reaguar edhe kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Ai në një postim të tij në rrjetin social Facebook ka shkruar se që nga përfundimi i luftës, disa herë është kërkuar që udhëheqës dhe shtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ballafaqohen me institucionet e drejtësisë ndërkombëtare. Ai thotë se asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush të përpiqet t’i shmanget drejtësisë.

“Përkundër vuajtjeve individuale dhe familjare që kanë ngërthyer në vetvete këto procese, unë kam besimin e plotë se bashkëluftëtari im, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe të gjithë të akuzuarit tjerë, luftën e UÇK-së do ta mbrojnë në mënyrë dinjitoze dhe në fund do të dalin faqebardhë nga ky proces”, ka shkruar ai.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi publik e ka quajtur dorëheqjen e presidentit Hashim Thaçi si veprim të duhur, por të vonuar. Ajo thotë se do të ishte mirë që presidenti Thaçi të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat.

“Dhjetë vjetët e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin. Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Ushtruesi i detyrës së kreut të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, pas këtyre zhvillimeve ka thënë se këto ngjarje kanë qenë të pritura. Megjithatë, ai ka theksuar se këto veprime të gjykatës janë të kundërligjshme.

“Ne, si organizatë e veteraneve, konsiderojmë se kësaj gjykate i ka skaduar mandati pesëvjeçar dhe natyrisht që çdo veprim që është duke e bërë, është i kundërligjshëm dhe kundërkushtetues”, ka deklaruar Klinaku.

Rama: Thaçi ka të gjithë mbështetjen e Shqipërisë në këtë betejë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas konfirmimit nga Gjykata Speciale Hagë për aktakuzën ndaj Hashim Thaçit për krime lufte.

Rama në Twitter, ka shkruar se Thaçi ka të gjithë mbështetjen e Shqipërisë në këtë betejë.

“Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacenueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, shkroi Rama në Twitter.

Kurse, kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka përgëzuar krerët e Kosovës, pasi siç tha ai, iu “përgjigjën thirrjes për drejtësi në mënyrë dinjitoze”.

Nga Dhomat e Specializuara në Hagë (apo siç njihen në Kosovë: Gjykata Speciale) deri më tani janë konfirmuar aktakuzat për pesë persona, e për të cilat është njoftuar publiku - kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, kundër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG