Ndërlidhjet

Zhvillimet politike shtyjnë seancën për Projektligjin e rimëkëmbjes  


Kuvendi i Kosovës.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej në lexim të dytë, Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, është shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit.

Mungesa e kuorumit, sipas nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, vjen për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend.

Ai tha se propozuesi i kësaj seance, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për 11 nëntor, duke filluar nga ora 11:00.

“Siç mund të evidentohet për të zhvilluar punimet kjo seancë nuk ka kuorum”, tha Shala.

Më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Dhomat e Specializuara. Njëjtë veproi edhe kreu i deritanishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili pas konfirmimit të aktakuzës, tha se do të heqë dorë nga të gjitha funksionet.

Më 5 nëntor, përveç Thaçit dhe Veselit, në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës, u transferua edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Ndërkaq, në Hagë, më 4 nëntor në qendrën e paraburgimit të Dhomave Speciale, u dërgua edhe ish-kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, nën akuza për krime lufte.

Pas dorëheqjes së Thaçit, në bazë të kompetencave kushtetuese, ushtruese e detyrës së presidentit u bë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në një adresim bëri thirrje për unitet dhe tha se në këtë kohë të vështirë nëpër të cilën po kalon Kosova, duhet “lidership i fuqishëm”.

Ndryshe, Projektligji për rimëkëmbje ekonomike – që në lexim të parë u votua më 12 tetor – mëton të ndihmojë në rikuperimin e humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Bizneset në Kosovë kanë raportuar humbje në pothuajse të gjithë sektorët, që prej fillimit të pandemisë. Andaj, subjektet ekonomike u kanë bërë thirrje disa herë deputetëve që ta votojnë këtë projektligj, pasi sipas tyre, “adresimi i dëmeve të shkaktuar në ekonomi, është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID-19”.

Në këtë projektligj po ashtu parashihet që kontributpaguesit të mund të tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Ky projektligj– nëse votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj – do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

XS
SM
MD
LG