Ndërlidhjet

Edhe bizneset joaktive përfituan nga Fondi për rimëkëmbje


Prishtinë, foto nga arkivi.

Disa biznese me status joaktiv në Kosovë dyshohet se kanë përfituar nga Fondi për rimëkëmbje ekonomike i Qeverisë së Kosovës, që kap vlerën 385 milionë euro, thotë Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit.

Nga ky Fond, Qeveria e Kosovës, më 28 shtator, ka ndarë 60 milionë euro për të ndihmuar bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Nga kjo vlerë, bizneset kanë përfituar varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në muajin dhjetor të vitit 2019.

Shahini në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se disa biznese joaktive ose pasive, e kanë keqpërdorur kriterin e Ministrisë se Financave për freskimin e të dhënave në Sistemin Elektronik- EDI në ATK, duke paraqitur llogaritë bankare private.

“Realisht këto biznese kanë qenë pasive dhe jozyrtarisht të mbyllura. Në këtë kuadër kanë keqpërdorur ndihmën e shtetit, duke freskuar të dhënat në sistemin e ATK-së. Por, janë raste të izoluara dhe nuk janë shumë, për fat të mirë”, tha Shahini.

Edhe një kontabiliste nga Prishtina (emër i njohur për redaksinë), i tha Radios Evropa e Lirë se bizneset që nuk e zhvillojnë veprimtarinë e tyre dhe figurojnë me status joaktiv, kanë përfituar nga Fondi i qeverisë.

Kontabilistja thotë të ketë njohuri për disa biznese të cilat në tri-katër vjetët e fundit kanë pushuar aktivitetin e tyre duke mos paguar asnjë obligim tatimor, rrjedhimisht duke mos paguar asnjë pagë për punëtorët apo obligime të tjera financiare biznesore.

Bizneset përfituese nuk kanë pasur nevojë të aplikojnë për këtë subvencion të qeverisë. Kriter i vetëm i Ministrisë së Financave ka qenë plotësimi dhe freskimi i informatave të tatimpaguesit në Sistemin Elektronik-EDI në ATK. Në këtë sistem është kërkuar që të vendoset numri i llogarisë bankare të biznesit. Kurse është kërkuar që mos të paraqiten llogari individuale/private.

Rreth 80 mijë biznese joaktive

Zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës nuk kanë dhënë informacione se sa është numri i përgjithshëm i bizneseve joaktive në Kosovë. Por, në faqen zyrtare të këtij institucioni, në listën e tatimpagueseve figurojnë gjithsej 78,522 biznese joaktive.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar një biznes që figuron në këtë listë. Ky biznes është regjistruar në vitin 2010 në Prishtinë, por asnjëherë nuk ka ushtruar veprimtarinë e tij. Pronari i këtij biznesi, që nuk dëshiroi të identifikohet, tha se nuk ka përfituar nga Fondi i qeverisë, pasi nuk ka aplikuar dhe as nuk ka bërë freskimin e të dhënave në formularin e ATK-së.

ATK: Në qeveri kemi dërguar listat e bizneseve me status aktiv

Kurse, sa i përket mundësisë së përfitimit të bizneseve pasive nga ndihma e qeverisë dhe sa gjatë mund të qëndrojë një biznes me status pasiv, zyrtarë të ATK-së në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, thanë se “sipas kritereve të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për fondin prej 60 milionë euro, ATK-ja ka dërguar listat e bizneseve me status aktiv”.

“Ndërsa, një biznes pasiv mund të qëndrojë deri sa ATK-ja e konstaton në terren se biznesi është duke operuar dhe automatikisht ATK-ja e kthen në aktiv”, thuhet në përgjigje.

Kur konsiderohet një biznes joaktiv?

Sipas Ligjit për Administratën Tatimore, tatimpaguesi (biznesi) ka të drejtë të pushojë veprimtarinë vetëm pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore dhe pasi të kenë paraqitur bilancin e mbylljes, dorëzimin e deklaratave tatimore, në afatet përkatëse, duke deklaruar qarkullimin zero.

Para se të riaktivizohet biznesi, tatimpaguesi duhet të njoftojë ATK-në dhe operatorin përkatës dhe pastaj të vazhdojë procedurat normale të raportimit përmes Pajisjes Elektronike Fiskale.

Nga shuma prej 60 milionë eurosh, që ka ndarë Qeveria e Kosovës, kanë përfituar 36.679 biznese me 206,852 të punësuar. Bizneset kanë përfituar nga 290 euro për secilin punëtorë të punësuar.

Gërxhaliu: Të verifikohen listat e bizneseve

Safet Gërxhaliu, ekspert për çështje ekonomike, thotë se çdo ndihmë e qeverisë në këtë situatë është e nevojshme për komunitetin e biznesit, por në këtë drejtim duhet të ketë kujdes të shtuar në listat e përfitueseve. Ai thotë se qasja e shpërndarjes duhet të jetë shumë transparente dhe të përfitojnë bizneset që vërtet kanë pësuar humbje financiare.

“Ajo që është interesant në këtë proces, janë dokumentet e Administratës Tatimore të Kosovës, dokumente që është thënë se do të jenë të verifikuara bazuar në raportet financiare. Por, si duket në këtë drejtim kanë depërtuar edhe bizneset e shuara dhe joaktive. Prandaj, besoj se është një momentum, kur ATK-ja bashkë me institucionet tjera kompetente duhet të jenë më aktive në pastrimin e listave, në mënyrë që të përfitojnë bizneset që meritojnë”, tha Gërxhaliu.

Përveç ndihmës prej 60 milionë eurosh, Qeveria e Kosovës planifikon që bizneset t’i ndihmojë edhe përmes Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike. Ky projektligj pas gjashtë dështimesh, ka arritur të miratohet në lexim të parë, më 12 tetor, në Kuvendin e Kosovës.

Humbjet e deritashme në ekonominë e Kosovës të shkaktuara nga pandemia, sipas përfaqësueseve të bizneseve, vlerësohen të jenë një miliard euro, kurse deri në fund të vitit mund të humbin mbi 30 mijë vende pune.

Kontribuoi: Shkumbin Ahmetxhekaj

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG