Ndërlidhjet

S'ka kuorum për votimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike


Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës

Ka dështuar të zhvillohet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej në lexim të dytë Projektligji për rimëkëmbje ekonomike.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se seanca shtyhet për shkak të mungesës së kuorumit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se deputetët e opozitës pamundësuan miratimin në lexim të dytë të Projektligjit.

“Opozita e pamundësojë që Kuvendi i Kosovës të merret më problemet ekonomike më të cilat po përballet shoqëria kosovare duke qenë e papërgjegjshme në veprimet e saj. Ne i kemi dhënë mundësinë që ata të bëjnë propozime në Komisione, që Projektligji të ndryshohet sipas këndvështrimeve që i kanë ata. Nuk kanë bërë propozime, nuk kanë paraqitur qëndrime, në këtë mënyrë po pamundësojnë që të kalojë Ligji që qytetarët e Kosovës t'i tërheqin mjetet e tyre dhe ekonomia e Kosovës të marrë frymë”, tha Gashi.

Më herët, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës deri në javën tjetër dhe ka ftuar edhe liderët e institucioneve dhe partive politike që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Ky hap nuk lidhet me zhvillimet që i përkasin drejtësisë, por me nevojën tonë për sensibilizim, sepse ne konsiderojmë se para se të sillemi me agjendën tonë të zakonshme, siç rëndom ndodh, neve na duhet reflektim dhe unitet përballë këtyre zhvillimeve të pazakonshme", ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Dhomat e Specializuara në Hagë, më 5 nëntor, kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Që të gjithë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës të mërkurën nuk kanë qenë të pranishëm as deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë kohës kur është caktuar mbajtja e seancës, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka bërë paraqitjen e parë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Qëllimi i këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19.

XS
SM
MD
LG