Ndërlidhjet

Çka parasheh Projektligji për rimëkëmbje ekonomike?


Prishtinë, foto nga arkivi.

Ka dështuar mbajtja e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej në lexim të dytë Projektligji për rimëkëmbje ekonomike.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se seanca shtyhet për shkak të mungesës së kuorumit.

Në sallë ishin vetëm deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës deri në javën tjetër dhe ka ftuar edhe liderët e institucioneve dhe partive politike që t’i bashkohen kësaj nisme. Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, në një konferencë për media, tha se PDK-ja nuk synon të ndërhyjë në punën e drejtësisë dhe as të komentojë punën e Dhomave të Specializuara, porse vendimin e ndërlidhi me nevojën për "reflektim për zhvillimet e fundit".

Me qëllim që të ndihmohen bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Ky projektligj, pas gjashtë dështimesh për miratim në Kuvendin e Kosovës, ka arritur të miratohet në lexim të parë më 13 korrik.

Qëllimi i këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19.

Në këtë Projektligji, thuhet se “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind”.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm, që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Gjithashtu, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Tërheqja e këtyre mjeteve nuk është përkrahur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit, “kjo zvogëlon pensionet e ardhshme”.

Më pas, mjetet e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore mund të përdoren për të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me qëllim të realizimit të rimëkëmbjes ekonomike, përjashtuar kategorinë e pagave dhe shtesave.

Po ashtu, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kriteret për shtyrjen e afateve përcaktohen nga Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës.

Për bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021.

Ky projektligj – nëse votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj – do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Humbjet e bizneseve nga pandemia

Humbjet e deritashme në ekonominë e Kosovës, sipas Odës Ekonomike të Kosovës, të shkaktuara nga pandemia, vlerësohen të jenë një miliard euro.

Për këtë arsye, të gjitha subjektet ekonomike në Kosovë, disa herë kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që votojnë projektligjin. Pasi sipas tyre, vetëm “veprimi i shpejtë, i përcjellë me masa që adresojnë në mënyrë proporcionale dëmin e shkaktuar në ekonomi, është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID-19”.

Qeveria ka ndarë 60 milionë euro për biznese

Qeveria e Kosovës, në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike deri më tani ka ndihmuar bizneset edhe me 60 milionë euro. Nga kjo shifër kanë përfituar mbi 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë.

Pagesa nga 170 euro, është ndarë në bazë të numrit të punëtorëve të regjistruar në Administratës Tatimore të Kosovës në muajin dhjetor të vitit 2019.

Ndryshe, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit në fundjavën që shkoi, në Kosovë ka qenë e ndaluar veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve. Në këtë periudhë janë mbyllur edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë, në të gjithë territorin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, të martën paralajmëroi se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG