Ndërlidhjet

PDK-ja nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës për një javë


Kosovo: Democratic Party of Kosovo (PDK)
Kosovo: Democratic Party of Kosovo (PDK)

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës, deri në javën tjetër dhe ka ftuar edhe liderët e institucioneve dhe partive politike që t’i bashkohen kësaj nisme.

Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, në një konferencë për media, tha se PDK-ja nuk synon të ndërhyjë në punën e drejtësisë dhe as të komentojë punën e Dhomave të Specializuara, porse vendimin e ndërlidhi me nevojën për "reflektim për zhvillimet e fundit".

Partia Demokratike e Kosovës është partia e tretë për nga numri i deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Vendimi i saj për të mos marrë pjesë në punën e legjislativit ndodh në ditën kur është planifikuar mbajtja e një seance të Kuvendit. Në rend të ditës është votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

"PDK-ja nuk do të marrë pjesë në agjendën e Kuvendit të Kosovës. Ky hap nuk lidhet me zhvillimet që i përkasin drejtësisë, por me nevojën tonë për sensibilizim, sepse ne konsiderojmë se para se të sillemi me agjendën tonë të zakonshme, siç rëndom ndodhë, neve na duhet reflektim dhe unitet përballë këtyre zhvillimeve të pazakonshme", tha Tahiri.

PDK-ja aktualisht po udhëhiqet nga Enver Hoxhaj, që është emëruar ushtrues detyre i kësaj partie, pasi kryetari i deritashëm, Kadri Veseli po përballet me aktakuzë për krime lufte nga Prokuroria e Specializuar e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Tahiri vlerësoi se ato kanë pas pasur efekte të rënda në rrafshin socio-politik dhe atë institucional.

"Ato kanë prekur edhe rrafshin e kujtesës tonë kolektive si provokim për shtrembërimin e të vërtetës që e dijmë të gjithë. PDK beson fuqishëm në luftën e drejtë të UÇK-së dhe kauzën e e saj për liri", shtoi Tahiri.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një aktakuze të përbashkët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që të gjithë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Thaçi, Veseli dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm ndaj gjitha pikave të akuzës në paraqitjet e tyre të para në Gjykatë. Ndërsa, Rexhep Selimi, pritet të paraqitet të mërkurën para gjyqtarit të Dhomave t Specializuara.

XS
SM
MD
LG