Ndërlidhjet

FMN-ja kundër tërheqjes së mjeteve të Trustit, por arsyeton tërheqjen e mjeteve të AKP-së


Fondi Monetar Ndërkombëtar - Foto nga arkivi.
Fondi Monetar Ndërkombëtar - Foto nga arkivi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), nuk e ka përkrahur iniciativën e Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e 10 përqindëshit të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, por e arsyeton fokusimin e një pjese të mjeteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) te masat zbutëse dhe të rimëkëmbjes në buxhetin e vitit 2021.

Kështu thuhet në një deklaratë përmbyllëse të stafit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka zhvilluar një vizitë virtuale në Kosovë nga 23 shtatori deri më 7 tetor.

Tërheqja e 10 për qind të mjeteve nga llogaria e qytetarëve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, si dhe tërheqja e 100 milionë eurove nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në emër të rimëkëmbjes ekonomike, parashihen në Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Ky projektligj është miratuar në Qeveri, por për gjashtë herë radhazi nuk po arrin të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Tërheqja e mjeteve të Trustit zvogëlon pensionet e ardhshme

Në deklaratën e FMN-së, thuhet se “tërheqja e propozuar e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit, që ka qenë burim esencial i financimit të buxhetit”.

Mjetet e AKP-së të fokusohen te masat zbutëse dhe të rimëkëmbjes

Kurse, sa i përket mjeteve të AKP-së, thuhet se situata e jashtëzakonshme mund të arsyetojë rifokusimin e një pjese të depozitave të kësaj agjencie nga financimi i investimeve te masat zbutëse dhe të rimëkëmbjes, të cilat duhet të jenë të dizajnuara mirë, transparente dhe të targetuara për t’i prekur ata që kanë më shumë nevojë.

Meqë rishikimi gjashtëmujor i buxhetit 2020 nuk i përcakton në tërësi masat e zbutjes dhe të rimëkëmbjes, të financuara nga AKP-ja, në raport thuhet se “ ato duhet të rishpërndahen në buxhetin e vitit 2021”.

Populli i Kosovës dhe ekonomia janë goditur shumë nga pandemia

Politikat fiskale dhe financiare e kanë zbutur ndikimin e goditjes në ekonomitë familjare dhe biznese, ndonëse mungesa e konsensusit politik deri më tani ka parandaluar një reagim më të fortë të politikave.

Rritja e lartë e rasteve të infektimeve në periudhën korrik-gusht e detyroi qeverinë që ta ngadalësojë rihapjen dhe të rivendosë masa të pjesshme të mbylljes, duke frenuar kështu rikthimin ekonomik fillestar. Fokusi i politikave duhet të jetë në sigurimin e sistemit shëndetësor. Përderisa sistemi shëndetësor ka reaguar mirë, kapaciteti i tij ishte testuar maksimalisht në kulmin e përhapjes, gjatë muajit gusht.

Ekziston pasiguri e madhe për perspektivën ekonomike

Në frontin ekonomik, Bruto Prodhimi Vendor (BPV) parashikohet të pësojë rënie prej 7.5 për qind më 2020 dhe të kthehet me 6 për qind më 2021. Rënia e rritjes në shtetet ku ka prani të madhe të diasporës së Kosovës (-6 për qind në 2020), si dhe kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit do t'i kushtojnë Kosovës 6 pikë përqindjeje të BPV-së në të hyrat nga diaspora për vitin 2020.

Kjo do të rëndojë efektin negativ në rritje nga rëniet e detyrueshme dhe vullnetare të lëvizjes brenda vendit dhe pasigurisë së shtuar.

Përveç Fondit Monetar Ndërkombëtar, tkurrje të ekonomisë për 8.8 për qind ka paralajmëruar edhe Banka Botërore.

Në raportin e publikuar, më 7 tetor, nga Banka Botërore për ekonominë në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, thuhet se “Pandemia COVID-19 ka shkaktuar rënie në eksportin e shërbimeve dhe zvogëlim të investimeve dhe konsumit. Qeveria është përgjigjur shpejt duke siguruar përkrahje për firmat dhe punëtorët, megjithatë punësimi pritet të ulet, ndërsa varfëria të rritet”.

XS
SM
MD
LG