Ndërlidhjet

Biden fiton në Arizona


Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden.

Joe Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale në shtetin e Arizonës, raportuan mediat amerikane më 12 nëntor.

NBC, CBS, ABC, dhe CNN e shpallën fitues Bidenin në këtë shtet, i cili ka 11 vota elektorale, pas pothuajse një javë që kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor.

Me fitoren në Arizona, Biden ka 290 vota elektorale, ndërkaq presidenti amerikan, Donald Trump 217.

Sipas rregullave në SHBA, që një kandidat të zgjidhet president, i duhen 270 vota elektorale.

Fox News dhe The Associated Press më 3 nëntor kishin thënë se Biden do të fitojë në Arizona, që nxiti kritika të ashpra nga Trump.

Deri më 12 nëntor, Biden po printe në Arizona me 49,4 kundrejt 49,1 për qind të votave që kishte Trump.

Fitorja e Bidenit në Arizona përmbush qëllimin e demokratëve që ta fitojnë në këtë shtet, që për shumë vite me radhë kishte qenë nën dominimin e republikanëve.

Demokratët po ashtu kanë fituar ulësen e Senatit, pasi kandidati i tyre në Arizona, Mark Kelly ka mposhtur senatoren Martha McSally.

Biden është bërë kandidati i dytë presidencial amerikan, në shtatë dekada, që ka fituar në Arizona. Për herë të fundit, Bill Clinton kishte fituar në Arizona në zgjedhjet e vitit 1996.

Pavarësisht se Biden më 7 nëntor u shpall fitues i zgjedhjeve, fushata e presidentit Trump ka nisur betejat ligjore për të përmbysur rezultatin në disa shtete, me pretendime të pabazuara se ka pasur mashtrime zgjedhore.

Biden po ashtu prin sa i përket votave popullore. Ai deri më tani ka fituar 5,3 milionë vota.

Aktualisht, për shkak të garës së ngushtë në Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut, fituesi në këto dy shtete nuk është shpallur ende.

XS
SM
MD
LG