Ndërlidhjet

Mali i Zi dhe Serbia dëbojnë ambasadorët e njëri-tjetrit


Ambasadori i Serbisë në Mal të Zi, Vlladimir Bozhoviq.

Qeveria në shkuarje e Malit të Zi ka shpallur ambasadorin e Serbisë person të padëshiruar (non grata) dhe i ka kërkuar që të largohet nga shteti, ka njoftuar Ministria e Jashtme më 28 nëntor.

Serbia është përgjigjur disa orë më vonë duke e shpallur ambasadorin e Malit të Zi, po ashtu person të padëshiruar dhe duke e dëbuar nga shteti.

Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka cituar “ndërhyrjet e vazhdueshme në çështjet e brendshme të Malit të Zi” si arsye për marrje të këtij vendimi.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme është thënë se ambasadori serb, Vladimir Bozhoviq “ka treguar jorespekt direkt” për Malin e Zi, duke e përshkruar vendimin e vitit 1918 për t’iu bashkuar atëbotë Mbretërisë së dominuar nga Serbia si akt “të çlirimit” dhe “vullnetit të lirë” nga malazezët.

Parlamenti i Malit të Zi e ka shpallur këtë vendim si të pavlefshëm më 2018, duke thënë se i ka hequr Malit të Zi sovranitetin e vet.

Në deklaratë është thënë se komentet e Bozhoviqit më 27 nëntor kanë qenë “të papërshtatshme me standardet e zyrës diplomatike”.

Ministria e Jashtme e Serbisë ka njoftuar përgjigjje reciproke.

“Për shkak të shpalljes së ambasadorit të Serbisë në Malin e Zi, Vladimir Bozhoviq, person të padëshiruar, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka vepruar në mënyrë reciproke”, është thënë në deklaratën e kësaj ministrie.

Mediat shtetërore ka raportuar se ambasadorit malazez Tarzan Millosheviq i është kërkuar të largohet nga Serbia brenda 72 orëve.

Mali i Zi vazhdon të jetë thellësisht i ndarë në mesin e njerëzve që kërkojnë lidhje me aleatët tradicionalë, Serbinë dhe Rusinë, si dhe ata që e shohin Malin e Zi si shtet të pavarur, të lidhur me Perëndimin.

Mali i Zi dhe Serbia kanë qenë pjesë e një shteti të përbashkët deri para mbajtjes së referendumit për pavarësi më 2006, që ka rezultuar me ndarje të Malit të Zi nga Serbia.

Ky shtet tani do të drejtohet nga një koalicion pro-serb, që pritet të votohet gjatë seancës parlamentare javën ardhshme.

Partia më e fuqishme e koalicionit është Fronti Demokratik.

Megjithatë, partnerët e saj insistojnë që Mali i Zi të vazhdojë rrugën pro-Perëndimore.

Ky ndryshim e ka lënë Partinë Demokratike të Socialistëve të drejtuar nga presidenti Millo Gjukanoviq jashtë pushtetit për herë të parë pas gati 30 vjetëve.

Partia e tij, që është mposhtur në muajin gusht, ka udhëhequr shtetin drejt pavarësisë nga Serbia dhe drejt NATO-s më 2017.

XS
SM
MD
LG