Ndërlidhjet

Mali i Zi nuk do ta tërheqë vendimin për dëbimin e ambasadorit serb


Flamuri i Malit të Zi.

Mali i Zi nuk do ta tërheqë vendimin për dëbimin e ambasadorit serb, Vlladimir Bozhoviq, kanë njoftuar zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, është thënë se gjitha procedurat në lidhje me dëbimin e Bozhoviqit kanë përfunduar dhe se ai duhet ta lëshojë Malin e Zi më së largu më 1 dhjetor.

Duke komentuar vendimin e Serbisë për të tërhequr vendimin për dëbimin e ambasadorit malazez, Ministria e Jashtme në Podgoricë thotë se ambasadori, Tarzan Millosheviq përfaqëson vendin e tij, duke respektuar Republikën e Serbisë, pa ndërhyrë në punët e saj të brendshme, "ndryshe nga ambasadori serb në Malin e Zi, i cili vazhdimisht ka vënë në dyshim pavarësinë e Malit të Zi me interpretimet e tij të historisë".

Teksa ka bërë të ditur lajmin për tërheqje të vendimit për dëbim të ambasadorit malazez, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se "raportet e mira me Malin e Zi janë mbi të gjitha më të rëndësishmet për ne".

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia "ka bërë një veprim të mirë" duke shtuar se i takon asaj të tregojë se dëshiron "raporte të mira dhe vëllazërore" me Malin e Zi.

Serbia e shpalli ambasadorin e Malit të Zi, person non grata (të padëshiruar) dhe urdhëroi dëbimin e tij nga vendi më 28 nëntor, pasi të njëjtin veprim e kishte bërë Mali i Zi me ambasadorin serb në Podgoricë.

Kryeministri në ardhje i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq më herët e kritikoi qeverinë në largim për vendimin, vetëm disa ditë para se të votohet nga parlamenti qeveria e re, që ka një orientim pro-serb.

"Akte të tilla nuk janë në frymën e rrugës evropiane dhe bashkëpunimit të mirë rajonal të vendeve mike," shkroi Krivokapiq në Twitter. Ai tha se regjimi në largim, madje edhe në ditët e tij të fundit, nuk "iu shmang polarizimit të shoqërisë dhe thellimit të ndarjeve".

Si arsye për shpalljen person non grata dhe dëbimin e ambasadorit serb, ministria e Jashtme e Malit të Zi përmendi "ndërhyrjen e gjatë dhe të vazhdueshme në punët e brendshme të Malit të Zi" .

Mali i Zi mbetet thellësisht i ndarë midis atyre që kërkojnë lidhje më të ngushta me aleatët tradicionalë: Serbinë dhe Rusinë, dhe ata që e shohin Malin e Zi si një shtet të pavarur aleat me Perëndimin.

Mali i Zi dhe Serbia ishin pjesë e një vendi të përbashkët para një referendumi më 2006 që çoi në pavarësimin e Malit të Zi.

Vendi tani do të drejtohet nga një koalicion pro-serb që do të votohet gjatë një seance parlamentare këtë javë, pas humbjes së Partisë Demokratike të Socialistëve pro-Perëndimore në pushtet.

Partia më e fuqishme e koalicionit është Fronti Demokratik (DF), i cili kërkon lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe mbështetet nga Kisha Ortodokse Serbe.

Partnerët e tij, megjithatë, insistojnë që Mali i Zi të mbetet në kursin e tij pro-perëndimor.

Krivokapiq tha se qeveria e re do të punojë për të përmirësuar marrëdhëniet e Malit të Zi me Serbinë.

"Ne do të promovojmë një politikë fqinjësie të mirë me Beogradin, si dhe me të gjithë në rajon, mbi parimin e sovranitetit, pavarësisë dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera", shkroi Krivokapiq.

XS
SM
MD
LG