Ndërlidhjet

Këshilli i Evropës i thotë Polonisë të ndalojë "stigmatizimin" e komunitetit LGBTI


Parada e Krenarisë në Bialystok, Poloni, Korrik 2019.
Parada e Krenarisë në Bialystok, Poloni, Korrik 2019.

Këshilli i Evropës i bëri thirrje Polonisë që t'i japë fund stigmatizimit të komunitetit LGBTI (homoseksual, lesbike, biseksual, transgjinor dhe ndërseksual), duke thënë se ky vend i Evropës Lindore ka rekordin më të keq në BE për të drejtat e këtyre komuniteteve.

Në një raport, komisionarja për të drejtat e njeriut e Këshillit të Evropës, Dunja Mijatoviq tha se politikanët janë përgjegjësit kryesorë për një përkeqësim të gjendjes, gjatë tre viteve të kaluara.

Ajo veçoi presidentin, Andrzej Duda, i cili e ka quajtur LGBTI-në një "ideologji më të keqe se komunizmi" dhe shefin e partisë në pushtet Ligji dhe Drejtësia, Jaroslaw Kaczynski, i cili ka thënë se njerëzit e komunitetit LGBTI ishin një kërcënim për familjen tradicionale.

"Zyrtarët publikë dhe krijuesit e opinioneve duhet të ndalojnë së promovuari një atmosferë urrejtjeje dhe jotolerance ndaj njerëzve LGBTI dhe në vend të kësaj të përmirësojnë respektin për të drejtat e tyre njerëzore", tha Mijatoviq.

"Stigmatizimi dhe gjuha e urrejtjes mbartin një rrezik real të legjitimimit të dhunës. LGBTI janë njerëz, jo një ideologji", tha ajo.

Komisionarja tha se ajo ishte "thellësisht e shqetësuar për rritjen e dukshme të retorikës së urrejtjes dhe përhapjen e diskursit homofobik nga zyrtarët publikë dhe nga organe dhe figura të tjera të shquara të shoqërisë polake".

Qeveria ka financuar "iniciativa homofobike", zbuloi raporti, ndërsa Paradat e Krenarisë u janë nënshtruar sulmeve të dhunshme dhe aktivistët - ngacmimeve dhe kërcënimeve.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare e themeluar për të mbështetur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Evropë. Ajo nuk drejtohet nga Bashkimi Evropian, por të gjitha vendet e BE janë anëtare.

XS
SM
MD
LG